E Diel, 1 Nëntor 2026

Isaraj: Komisioni Durrës-Kukës është kthyer në nul

Socialistët kanë ngritur dje zërin për dy nga komisionet hetimore parlamentare. Deputeti Arben Isaraj deklaroi dje se komisioni hetimor i rrugës Durrës-Morinë, në këta tre muaj që po kalojnë, ka zhvilluar vetëm 5 mbledhje dhe në të gjitha mbledhjet, është për t‘u habitur, hidhen poshtë vazhdimisht të gjitha kërkesat e opozitës. "Komisioni është përpara një problemi të madh që është ndryshimi në kundërshtim me ligjin për komisionet hetimore të objektit të veprimtarisë së këtij komisioni nga kryetarja Topalli", theksoi Isaraj. Sipas tij, Kryetarja e Kuvendit kur zbardh kërkesën në vendimin përkatës, objektin e redukton dhe ky komision vjen me një objekt shumë të ngushtë që është hetimi i procedurave të tenderimit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. "Në ligj është e shkruar qartë kur thotë se Kuvendi nuk mund të vendosë kufizime. Objekti është kufizuar me qëllim për të fshehur të vërtetën", sqaroi ai. Isaraj argumenton se kjo shkelje e ligjit do të thotë se ky komision sot është nul dhe në kundërshtimi me Kushtetutën. Sakaq, deputeti Stefan Çipa, i kërkoi Kryetares së Kuvendit, që në raport me komisionin "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave", të vlerësojë me seriozitet situatën. "Gjithashtu kërkoj që Kuvendi ta shtyjë edhe për tre muaj afatin e këtij komisioni, ndërsa kryetarja dhe administrata e saj në të ardhmen të mos sjellin më pengesa", tha Çipa. Duke shtuar se ngritjen e këtij komisioni e ka kërkuar mazhoranca, por pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës askush nuk duhet ta konsiderojë si një garniturë pa vlerë, por si një obligim real dhe ligjor në një problem kaq të rëndësishëm që lidhet me Sigurinë Kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›