E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri Kombëtar ende në pritje të fondeve

Autori i Lajmit: red.
Pas më shumë se dy muaj heshtje, Teatri Kombëtar njofton për çeljen e sezonit artistik. Premiera e këtij sezoni ishte e papërcaktuar, që para se të mbyllej sezoni i mëparshëm. Bëhet fjalë për “Trojanët” e Euripidit, tragjedinë greke e cila u ngjit me sukses në skenën e amfiteatrit të Butrintit, ku përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove, që zhvillohet prej disa viteve në qytetin bregdetar të Sarandës. Kjo shfaqje e cila e pati premierën në muajin korrik, do të vijë më 27 shtator premierë në Teatrin Kombëtar për spektatorin kryeqytetas. “Trojanët”, tragjedia greke e Euripidit, vjen nga regjisori grek Vangjelis Theodhoropolos. Shfaqja e antikitetit grek, pas disa muajsh prova të lodhshme, konkurroi denjësisht në skenën e teatrit antik të Butrintit. Fakti që kjo vepër teatrore vihet për herë të parë në gjuhën shqipe, përfshiu në kastin e aktorëve emrat më të njohur të skenës shqiptare, të cilët janë të vlerësuar për kontributin e tyre në skenën shqiptare. Përveç emrave si Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Ema Andrea, Arben Derhemi, Monika Lubonja, Neritan Liçaj e shumë të tjerëve, është dhe aktorja e talentuar dhe e njohur në skenën dhe filmin shqiptar, Margarita Xhepa. Në këtë vepër aktorja interpreton rolin e mbretëreshës së Trojës, rol të cilin aktorja Xhepa e ka ëndërruar prej kohësh ta realizojë. Që para se kjo vepër të konkurronte në festivalin e Butrintit, ishte njoftuar se ajo do të ngjitej edhe në skenat greke dhe vetëm në fund të shtatorit do të mund të prekte skenën e Teatrit Kombëtar. Vepra është përkthyer nga Romeo Çollaku. Më pas kalendari i teatrit do të vijojë me dramën “Franku V” të regjisorit Kumbaro, me “Alegreto Albania” dhe "Pamje nga ura", shfaqje këto që u vlerësuan shumë gjatë sezonit të kaluar dhe patën rekord shikuesish, sidomos “Pamje nga ura”. Ndërsa për sa u përket projekteve të reja, drejtori Kristaq Skrami thotë se janë në proces përzgjedhjeje. Që në fillim të këtij sezoni, i cili ende nuk e paraqitur kalendarin e plotë të shfaqjeve, duket se do të kemi shumë pak premiera. Duket se konflikti ende i pazgjidhur midis Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve kulturore, për sa i përket reformës dhe bordeve artistike, ka lënë pezull edhe përzgjedhjen e projekteve të reja, të cilat duhet të ishin gati si çdo fillim sezoni.
Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›