E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet shkolla e re profesionale, diplomat njihen në BE

Autori i Lajmit: red.
Në qytetin e Shkodrës u çel shkolla profesionale shqiptaro-austriake “Peter Mahringer”. Burime nga Ministria e Arsimit konfirmojnë se diplomat e kësaj shkolle do të njihen në BE. Dje ishte dhe dita e parë e mësimit për nxënësit e këtij gjimnazi 5-vjeçar. “Diplomimi i të rinjve nga kjo shkollë do të thotë më shumë specialistë të kualifikuar për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, përmbushje të Master Planit për TIK-shkollat të lancuar nga MASH dhe qeveria në dhjetor të vitit 2005”, sqarojnë burime nga MASH. Për të mundësuar një pjesëmarrje të suksesshme në procesin mësimor, vitin e kaluar nxënësit e interesuar i janë nënshtruar një kursi parapërgatitor gjatë të cilit, krahas disa lëndëve të tjera, është zhvilluar edhe mësimi i gjuhës gjermane. Sipas memorandumit të nënshkruar në gusht të vitit 2006 nga dy ish-ministrat e arsimit z. Genc Pollo dhe ministrja austriake e arsimit znj. Elisabet Gehrer, shteti austriak mori përsipër ndërtimin e godinës së shkollës në truallin e Kuvendit Franceskan, Shkodër, si dhe dërgimin e mësuesve austriakë. Ndërsa pala shqiptare do të mundësojë dhënien e 50 bursave të shkollimit çdo vit për një të tretën e nxënësve. Maturantët do të pajisen në fund të shkollës me një formim të përgjithshëm ekonomik dhe për Teknikën e Informacionit dhe të Komunikimit, e kombinuar me kompetencat e nevojshme profesionale në fushën e profesionit të tyre, si teknikë kompjuterash. Ata do mund të instalojnë dhe përdorin produktet e zakonshme të softëare-ve (Office), mund të mirëmbajnë Hard dhe Softëare si edhe të ofrojnë për përdoruesin ndihmën e shkallës së parë. Me kompetencën e fituar të gjuhëve të huaja (gjermanisht, anglisht) janë të mirëpërgatitur për tregun evropian të punës. Janë të arsimuar mirë për çështje të menaxhimit të projektit dhe disponojnë njohuritë bazë, për një kualifikim të mëtejshëm të pavarur. Personeli mësimor do të përbëhet nga mësues austriakë dhe shqiptarë. Shkolla austriake “Peter Mahringer” është një shkollë 5-vjeçare (3+2) dygjuhëshe për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK), ku do ti kushtohet rëndësi edhe mësimit të gjuhës angleze. Nëpërmjet një arsimimi profesional 3-vjeçar të orientuar drejt praktikës, nxënësit do të kualifikohen për profesionin e teknikut të kompjuterave (përpunim elektronik të të dhënave). Pastaj do të vijohet me një specializim 2-vjeçar, i cili përfundon me provimin e pjekurisë. Dëftesa e shkollës do të njihet në Austri dhe në këtë mënyrë edhe në Bashkimin Evropian.
Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›