Rrëzohen pretendimet e të dënuarve në Itali Rrëzohen pretendimet e të dënuarve në Itali
Gjykata e Fierit ka vendosur të lërë në burg dy të arrestuarit me kërkesë të shtetit italian, për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Dje, në Fier, është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie seanca gjyqësore për marrjen e masës së sigurisë për shtetasit Albert Kurti dhe Gëzim Komini, të cilët janë dënuar në Itali nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Milanos me nga 7 vjet burg dhe 25400 euro gjobë secili. Prokurori i çështjes, Shkëlqim Sina, ka paraqitur në këtë seancë gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor ndaj dy të ndaluarve, të cilët në vitin 2004 ishin dënuar prej Gjykatës së Krimeve të Rënda në Milano. Prokurori e ka cilësuar të ligjshëm ndalimin e dy shtetasve dhe ka kërkuar nga trupi gjykues që të marrë masën e sigurisë me 3 muaj burg si afat shtrëngues. Ndalimi i dy shtetasve prej Policisë së Fierit erdhi pas një kërkese të Prokurorisë së Rrethit, e cila nga ana e saj kishte marrë një letër-porosi nga pala italiane, në bazë të konventës ndërkombëtare midis dy qeverive, lidhur me të dënuarit e dy shteteve. Avokatët mbrojtës të dy të pandehurve, Ylli Hasimetaj për të ndaluarin Albert Kurti dhe Zenun Hajdarmataj për Gëzim Kominin, kërkuan pafajësi të klientëve. Ata thanë se nuk ka bazë ligjore për arrestimin e tyre, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda në Milano të Italisë i ka dënuar në mungesë dhe ata nuk janë njohur me këtë vendim gjykate që ta apelonin. Avokati Hasimetaj pohoi se klienti i tij është familjar i rregullt, baba i dy fëmijëve dhe është besimtar praktikant i fesë myslimane. "Ai edhe tani që është në qeli, falet rregullisht pesë herë në ditë. Është një shtetas i rregullt dhe respekton ligjet e shtetit",- ka thënë Hasimetaj për klientin e tij, duke kërkuar lirimin. Avokati tjetër, Zenun Hajdarmataj, ka thënë se nuk mund të merret për bazë dosja e ardhur nga Italia, për faktin se ajo është në gjuhën italiane. Megjithatë, kryetari i trupit gjykues, Fatri Islami, ka vendosur që dy të ndaluarit, Albert Kurti dhe Gëzim Komini, të mbeten në burg. Ata kanë dhjetë ditë kohë që ta apelojnë vendimin e kësaj gjykate.