Transferimi i studentëve të Sarandës, zhduket shkresa e MASH-it
25 studentë të degës Ekonomi-Turizëm në Sarandë, kërkojnë nëpër rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe të Ministrisë së Arsimit një shkresë të kësaj të fundit, e cilat nuk gjendet. Shkresa që do të bënte të mundur transferimin e tyre aq shumë të premtuar nga Saranda në Tiranë, sot nuk ekziston më. Të gjithë u thonë që shkresa është firmosur, është nisur në rektoratin e Universitetit të Tiranës, por që andej është tërhequr me urgjencë përsëri nga Ministria e Arsimit, pa lënë asnjë gjurmë në zyrën e protokollit. Historia e sorollatjes së këtyre studentëve filloi në tetor të vitit të kaluar, kur ata së bashku me shumë studentë të tjerë fituan të drejtën për të vazhduar studimet në degën Turizëm, në Sarandë. Kur aplikuan të rinjtë nuk e dinin se kjo degë ishte në Sarandë, pasi ministria nuk e kishte shkruar në formularin A2. Ndaj ata kërkuan transferim në Tiranë. Kudo që shkuan në ministri dhe në fakultet u premtuan transferimin. Ata që nga fillimi i vitit shkollor nuk e kanë ndjekur mësimin në Sarandë dhe kanë ndjekur leksionet dhe seminaret çdo ditë pranë degës në Tiranë. "Na thanë që udhëzimi ka ardhur edhe për ju që ta vazhdoni shkollën këtu", ankohet në "Fiks Fare" një nga këta studentë. "Ne kemi filluar shkollën prej një muaji e gjysmë dhe pas një kohe kaq të gjatë sekretarja na thotë që udhëzimi nuk ka ardhur. Kemi shkuar direkt te Ministria e Arsimit, me shumë mundime ata na kanë miratuar, letrën e kanë çuar në rektorat me një telefonatë, e kanë pezulluar dhe nuk na kthejnë më përgjigje që prej asaj dite", tregojnë studentët e degës së Turizmit në Sarandë. Edhe pse për dy muaj kanë zhvilluar mësim në Tiranë, në prag të provimeve atyre iu komunikua se nuk mund të futeshin në provimet e sezonit, sepse shkresa nuk kishte mbërritur akoma. Studentët shkuan në rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe u takuan me Mynyr Konin, drejtor i degës mësimore në këtë rektorat. Gjatë bisedës me studentët ai pranon se shkresa e transferimit kishte vajtur dhe ishte tërhequr sërish në të njëjtën ditë me telefon nga Ministria e Arsimit. "Shkresa nuk është pezulluar, por është tërhequr. Nuk kemi dijeni për arsyen. Nëse do të ishte regjistruar në protokoll, do ta kishim dërguar në fakultet", shpjegon drejtori i degës mësimore në rektoratin e UT. Për këtë problem shkuam dhe pyetëm vetë ministrin e Arsimit, Genc Pollo. Kur e pyesim për shkresën që u zhduk në mënyrë enigmatike ai nuk përgjigjet, por këmbëngul në faktin që këta studentë e kanë ditur që në fillim që do t‘i vazhdonin studimet në Sarandë. Kur gazetarja e "Fiks Fare" ia përsërit disa herë pyetjen se a ka dijeni për këtë shkresë, që përmbante urdhrin për transferimin e këtyre studentëve dhe është dërguar në rektorat, por që atje është tërhequr mbrapsht me një telefonatë urgjente, ministri i Arsimit nuk përgjigjet.