Këshilli Bashkiak dëmshpërblen shtëpitë e djegura
Parlamenti i qytetit të Shkodrës, që është Këshilli Bashkiak, ka zhvilluar paraditen e sotme mbledhjen e radhës, ku ka miratuar një fond prej 780 mijë lekësh për 10 familje që u janë djegur banesat. Sipas drejtuesve të Këshillit Bashkiak, ky fond është parashikuar të jepet nga bashkia për familjet të cilat kanë mbetur krejtësisht pa shtëpi, për shkak të djegies së tyre. Po sipas drejtuesve të këtij këshilli, janë 10 familje të cilat nuk kanë se ku të strehohen në shkodër dhe në këto kushte bashkia ka vendosur t‘u akordojë atyre një ndihmë financiare. Në Shkodër, vetëm në vitin 2007, numërohen rreth 80 vatra zjarri të rëna në ambiente të ndryshme, ku 46 janë djegie banesash, pjesa tjetër janë objekte, magazina e dyqane. Zjarret në Shkodër, kohët e fundit, kanë qenë në një shkallë mjaft problematike, ku nuk kanë munguar rastet që nga zjarret janë shënuar edhe viktima. Ndër pikat e tjera të rendit të ditës, që miraton sot Këshilli Bashkiak i Shkodrës, ishin: Miratimi i ndihmës ekonomike për muajin dhjetor 2007 dhe të paaftësisë për muajin janar 2008; miratim i projektvendimit për nivelin e bursave për nxënësit konviktorë nga viti i dytë e sipër, shtesë në VKB nr. 113, dt. 17.12.07, për miratimin e projektvendimit për detajimin e fondit të strukturës buxhetore të QKR-së Shkodër; dhënie titulli "Qytetar Nderi", z. Arshi Pipa dhe z. Qemal Draçini; Dhënie titulli "Qytetar Nderi", z. Ahmet Rifat Beg Kopliku. Gjithashtu, këtyre pikave të rendit të ditës i janë shtuar edhe disa pika të tjera, të cilat nuk ishin parashikuar në këtë rend dite, siç janë: miratimi i draft-marrëveshjes mes Bashkisë Shkodër dhe Intercooperation për rikonstruksionin e lulishtes pranë shatërvanit, miratimi i një fondi prej 100 mijë lekësh për blerjen e bazës materiale të ekipit të të rinjve në çiklizëm, miratimi i bursës për 10 nxënës të Shkollës së Mesme Teknologjike.