Rektori i ri i Korçës, Gjergji Mero
Gjergji Mero do të jetë rektori që do të drejtojë tashmë Universitetin "Fan Noli" të Korçës. Zgjedhjet e pjesshme, të cilat u përsëritën në Korçë për rektorin e universitetit kanë nxjerrë fitues me shumicë votash Gjergji Meron. Ai ka garuar përballë kandidatit tjetër, Bashkim Jahollarin, me të cilin kishin në zgjedhjet e para diferencën në përqindje, që do të vendoste përfundimisht mes të dyve fituesin e postit të rektorit. Zgjedhjet, të cilat janë përsëritur në këtë universitet, ndryshe nga ato të zhvilluara në gjithë vendin, janë mbajtur këtë herë vetëm në një nga fakultetet dhe pikërisht në Fakultetin e Bujqësisë, ku janë konstatuar edhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të para. Nga rezultati i parë, nga ku 32.6% të votave i mori kandidati për rektor Gjergji Mero dhe 26.4%, Bashkim Jahollari, nga ana e Ministrisë së Arsimit është urdhëruar që zgjedhjet e dyta të zhvillohen të pjesshme, pasi vetëm në këtë fakultet ka pasur parregullsi në këtë proces.