Qendra e transfuzionit: Brenda 1 viti, 20 mijë dhurime gjaku
Në të gjithë vendin janë kryer më shumë se 20 mijë dhurime gjaku, gjatë vitit 2007. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut raportoi dje në nivel kombëtar 20.129 dhurime gjaku, rreth 2500 më shumë se një vit më parë. Nga këto, 54 për qind kanë qenë dhurime familjare, 15 për qind dhurime vullnetare dhe rreth 31 për qind dhurime të paguara. "Duke vërejtur cilësinë e dhurimeve vlen të përmendet se në krahasim me një vit më parë ka një rënie me 1 mijë raste të dhënieve të gjakut me pagesë, e cila është kompensuar dhe tejkaluar nga një rritje 3300 e dhurimeve të papaguara, ku predominojnë ato familjare", tha dje drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit, Irena Qendro. Sipas saj, raporti midis dhurimeve pa pagesë dhe atyre me pagesë është përkatësisht 70 për qind me 30 për qind. Nga aktiviteti i Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut në nivel kombëtar, ajo veçoi atë të kryeqytetit, i cili mbledh më shumë se 50% të totalit të gjakut të mbledhur. Kjo sasi në Tiranë ka qenë 12.537, nga e cila 8403 dhurime familjare, 2330 vullnetare dhe 1804 me pagesë. Në kryeqytet dhurimet e papaguara janë aktualisht në shifrat 85%, ndërkohë që ato me pagesë janë 15%. "Tre vjet më parë në Tiranë 60% e dhurimeve i takonin dhënësve me pagesë, pra mund të thuhet se në zbatim të Strategjisë Kombëtare për një Transfuzion Gjaku të Sigurt, kemi arritur një përmirësim të dukshëm në drejtim të cilësisë së dhuruesve të gjakut", vlerësoi Qendro, duke shtuar se pavarësisht arritjeve pozitive, ka akoma shumë për të bërë në plotësimin e objektivit të dhurimeve vullnetare të pakompensuara. Sasia e gjakut të përdorur llogaritet 15% më shumë se viti 2006. Kjo sasi është shfrytëzuar nga shërbimet e QSUT-së, për pacientët me talasemi. Objektivi i këtij viti është arritja e 22 mijë dhurimeve në nivel kombëtar, nga të cilat 5 mijë dhurime vullnetare të pakompensuara.