Kujtimet e një rektori
Universiteti i Tiranës, ose "Ëndrra e një sfide", vjen për lexuesit si një përmbledhje kujtimesh dhe refleksionesh të rektorit Shezai Rrokaj. Profesori i gjuhësisë, por edhe drejtuesi i njohur i Universitetit të Tiranës, në 260 faqet e këtij libri që ka dalë nga shtypi ditët e para të vitit 2008, sjell një panoramë të punës së tij në krye të UT-së, por edhe ato që mbeten pa u realizuar. "Dikur profesorati punonte me ngarkesa mësimore që s‘kishin ndryshuar që nga sistemi i mëparshëm. Sot kemi ngarkesa sipas standardeve. Natyrisht, ka probleme të mëdha në pikëpamje të pagesës së orës së mësimit". Mes faqesh gjeni edhe konfliktin me qeverinë për ligjin e arsimit të lartë. Rrokaj nuk lë pa përmendur në librin e tij edhe median, të cilën e çuan bashkudhëtare të denjë të rritjes së universitetit. Në një kapitull të veçantë Rrokaj ka mbledhur disa nga shkrimet kryesore të botuara në median e shkruar gjatë viteve të fundit. Është interesante teksa kujton përmes arkivit të gazetave se Rrokaj ka qenë konfliktual me çdo qeveri. Kështu mund të përmendim kundërshtinë që ai u bën vendimeve të ish-ministrit Luan Memushi në vitin 2005. Në ciklin e debateve ai s‘kishte si të anashkalonte në këtë libër gjithë etapat e ligjit të ri të arsimit. Në libër është e gjithë korrespondenca me Kryeministrin, Presidentin dhe ish-presidentin, apo ministrin e Arsimit.
Në hyrje të librit, Rrokaj është përpjekur të bëjë një përmbledhje të gjithë asaj që ka gëluar në mendjen e tij në fund të mandatit. Para senatit të UT-së, personelit etj., ai është shprehur me këto fjalë ditën e dorëzimit të detyrës: "Shumëkush rreket të etiketojë universitetin me gjithfarë epitetesh, si politikanë e zyrtarë, profesorë pa doktoratura, muhabetçinj kafenesh, militantë të orëve të para e pinjollë masterash të stisur përtej kufijsh, nisur nga lloj-lloj motivesh e interesash që nuk kanë të bëjnë aspak me universitetin, nuk kanë kurrfarë vështirësie të etiketojnë en-bloc këtë tempull të shenjtë dhe simbol të moralit dhe të shpirtit të vendit, që është universiteti. Rëndom fjalët korrupsion, ryshfet, evazion diplomash, çifligarë etj., tingëllojnë në ekrane e mbushin faqe gazetash. Në fakt është me të vërtetë alarmante që gjëra të tilla të ekzistojnë, sidomos në institucionet e edukimit dhe për këtë do të na duhet të gjithëve të bashkëpunojmë edhe me studentët, në mënyrë që të gjejmë rrugë të ndershme të fitimit dhe punës në universitet".
Por cila është sfida e mbetur përgjysmë e rektorit. Po të lexosh librin, dhe sidomos kapitullin e parë, kushdo kupton se ai ka kërkuar me ngulm autonomi universitare. Mendon se ka arritur mjaft gjëra teksa rendit pavarësinë e profesorëve për të punuar dhe mbrojtur doktoratura brenda dhe jashtë shtetit, por mendon edhe se autonomia është pakëz e cenuar nga ligji i arsimit të lartë, i sapomiratuar. Por çdo të thotë autonomi, sipas Rrokajt. "Autonomi do të thotë që universiteti të ketë mundësi të punësojë me fondet e veta, të kreditojë dhe të kreditohet, të përpunojë strategji zhvillimi, të ftojë profesorë vizitorë, të organizojë veprimtari studentore etj". Pra, siç mund të shihet, e para është autonomia financiare, që praktikisht universitetet tona tani nuk e gëzojnë, pasi buxhetin ua programon qeveria.