E Diel, 1 Nëntor 2026

TVSH mbi universitetin dhe librin shkollor, pritet rritje çmimesh

Shtëpitë botuese të librit shkollor dhe universitetet publike janë institucione të tatueshme. Për vitin 2008 ato duhet të paguajnë 20 për qind për taksën TVSH. Kjo taksë, siç shpjegojnë ekonomistët, rëndon direkt mbi konsumatorin, pasi subjektet rrisin çmimin. Dhe konsumatori në këtë rast është nxënësi i shkollës dhe studenti i fakultetit. Ligji që kaloi në Parlament ditët e fundit të vitit 2007 ka ngjallur pakënaqësi në shoqatën e botuesve dhe rrethin e akademikëve.

Në rastin e universitetit, i bie që shteti të tatojë të ardhurat që universiteti mbledh nga taksat e studentëve. Kështu, nëse një student paguan 20 mijë lekë në vit si taksë, 4 mijë lekë shkojnë si TVSH. Kjo bën që miliarda lekë që universitetet përdorin për investime, të shkojnë për shtetin. Ndaj, shkollat e larta kërkojnë të përjashtohen nga kjo taksë, që i klasifikon ato si biznes fitimprurës. "Universiteti shtetëror ndryshon nga ai privat, ndaj nuk duhet të trajtohen njësoj".

Por ata nuk janë të vetëm në këtë sfidë me Parlamentin. Një tjetër grup interesi kërkon mosmiratimin e këtij ligji. Shoqata e botuesve të librit shkollor ka kërkuar dje, gjatë një mbledhjeje, që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të mos dekretojë ligjin për TVSH mbi librin shkollor. Kreu i shoqatës, Latif Ajrullari, u shpreh për "Shqip" se "ky ligj shkel konventat ekonomike për tekstet shkollore dhe nuk duhet të dekretohet nga Presidenti". Më tej ai shton se "ne do të parashtrojmë arsyet tona në një letër të hapur të Presidentin, Kryeministrin dhe ministrin e Arsimit". Botuesit shprehen se nëse vendoset TVSH, ata do të kërkojnë rritje të çmimit të librit shkollor, çka do të thotë se prindërit duhet të blejnë më shtrenjtë librat e fëmijëve. Aktualisht, një paketë e plotë me libra për një vit shkollor shkon deri në 3 mijë lekë. Nëse vendoset TVSH, ajo rritet me 20 për qind mbi këtë vlerë. Sipas Ajrullarit, kjo rritje iu intereson vetëm shtypshkronjave dhe aludon për lidhje të tyre me hartuesit e ligjit, që janë funksionarë të Ministrisë së Financave. Ligji kaloi në Parlament më datë 26 dhjetor dhe u debatua e kundërshtua mjaft nga opozita. Bëhet fjalë për ligjin nr. 9856, datë 26.12.2007 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.04.1995, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar, të ndryshuar". TVSH është pjesë e paketës ligjore të buxhetit. Më parë, shtëpitë botuese nuk ishin të përfshira në Taksën e Vlerës së Shtuar, ndërsa universitetit i tatoheshin vetëm 10 për qind. Tashmë, mbi këto institucione që lidhen drejtpërdrejt me nxënësit dhe studentët rëndon një taksë më shumë. Taksë që pritet të shkarkohet pikërisht te konsumatori, te studentët që do të duhet të paguajnë më shumë për shkollimin e tyre dhe te nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, që do të duhet të mësojnë me libra më të shtrenjtë. Sipas botuesve, kjo e minon reformën e Altertekstit, pasi MASH-i ka përcaktuar çmime fikse për librat e shkollës. Duke qenë se botuesit do të dalin pa fitim nga taksat dhe tatimet, nuk do të marrin më pjesë në garë për librin alternativ të tekstit shkollor. Kjo të paktën është deklarata paraprake e një prej botuesve më të mëdhenj të librave të shkollës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›