E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, vjedhje brenda ambienteve të policisë

Një punëtor ndërtimi, që punonte për rikonstruksionin e godinës së re të Drejtorisë së Policisë së Fierit, ka vjedhur para syve të policëve. Luan Senka, 18 vjeç, është arrestuar mbrëmjen e së dielës, nën akuzën e "vjedhjes", pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur kasetofonat e automjeteve të bllokuara nga policia e qarkullimit rrugor Fier. Makinat ndodheshin pranë ish-divizionit ushtarak, ku tashmë prej kohësh janë vendosur zyrat e policisë rrugore dhe pritet të zhvendoset edhe krejt administrata e policisë së qarkut. Adoleshenti ishte punonjës i firmës që ka marrë përsipër rikonstruksionin e ambienteve, ku do të akomodohen krerët e policisë së Fierit. Sipas burimeve policore, ai kishte më shumë se 5 muaj që ndërhynte në makinat e bllokuara, duke marrë prej tyre pjesë elektronike, ndërsa më të preferuarit e tij kanë qenë kasetofonat. Mesditën e së dielës, punonjësit e firmës kanë qenë duke vijuar punën e tyre, ndërsa 18-vjeçari u është shmangur kolegëve dhe duke thyer xhamin trekëndësh të derës së një makine, hyri brenda saj. Kur ishte duke shkëputur fijet elektrike të kasetofonit, ai është kapur nga polici që ishte në shërbim pranë godinës së re të policisë. Ky i fundit ka njoftuar eprorët e tij, të cilët kanë ardhur dhe kanë kryer arrestimit e Luan Senkës. Kontrolli i ushtruar në banesën e 18-vjeçarit ka evidentuar një numër të madh kasetofonash të vjedhur, si dhe pjesë të ndryshme elektronike të makinave. Ai ka pranuar se pas shitjes së sendeve të vjedhura në treg të zi arrinte të siguronte të ardhura për familjen e varfër. Policia e qarkullimit rrugor Fier, e lakuar shpeshherë për ndërhyrje vjedhjeje te makinat e bllokuara, kishte nisur hetimet për këtë çështje, por pa arritur të gjente autor, deri të dielën. Megjithatë, hetimi nuk konsiderohet i mbyllur, pasi dyshohet që 18-vjeçari të ketë pasur bashkëpunëtorë në radhët e policëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›