E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra, një vit pa vrasje për Kanun

Shkodra, kryeqendra e Veriut të vendit, ndër vite është përfolur për një imazh mjaft të rënduar për sa i përket rendit dhe sigurisë publike. Por, realisht vitet e fundit puna e policisë për t‘u siguruar qytetarëve qetësi dhe siguri ka qenë efikase. Numri i vrasjeve ka rënë ndjeshëm nga viti në vit. Siç bëjnë të ditur drejtuesit e policisë, Shkodra nuk klasifikohet më në zonat problematike, ndërkohë që fenomeni i gjakmarrjes është luftuar fort dhe në vitin 2007 nuk ka pasur asnjë vrasje për motive gjakmarrjeje. Drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, Nikolin Bala, ka shpjeguar në një intervistë për gazetën Shqip "sekretet" e suksesit të policisë në Shkodër.

Si paraqitet situata e rendit dhe qetësisë publike në Shkodër?

Shkodra është krejtësisht një qytet i qetë dhe mjaft i sigurt për këdo. Të gjithë qytetarët e Qarkut Shkodër e ndiejnë dhe e shohin punën e policisë. Në këtë kontekst ne jemi 24 orë në shërbim të qytetarëve, jo vetëm për siguri e qetësi, por dhe për të parandaluar ngjarje të ndryshme. Kohë më parë, qytetarët e Shkodrës kanë pasur mjaft probleme, sidomos biznesmenët, të cilët janë detyruar të largohen për shkak të prezencës së shumë grupeve kriminale. Vitet e fundit shihet qartë se këto probleme nuk ekzistojnë dhe Shkodra është një ndër zonat më të sigurta në Shqipëri për sa i përket rendit dhe qetësisë publike.

Si është arritur që Shkodra, nga një qytet problematik të klasifikohet në një zonë krejt të qetë?

Ka disa arsye për këtë, por ndër ato që mund të përmend dhe më lejohet të them, do të veçoja bashkëpunimin e policisë me komunitetin, që ka qenë mjaft i mirë. Shumë informacione nga publiku në numrin e telefonit 129 kanë bërë që mjaft ngjarje të parandalohen, të goditen autorët apo të bëhet e mundur vendosja e rendit dhe qetësisë. Dhe këtë bashkëpunim komuniteti e ka bërë pasi ka parë efektin e ndërhyrjes së policisë. Një pikë tjetër është puna e policisë në terren. Kështu, në të gjitha zonat e qytetit punonjësit e policisë, si ata me uniformë ashtu dhe ata civilë, mbajnë kontakte të vazhdueshme me qytetarët dhe çdo punonjës i zonës së policisë është në dijeni të problemeve që ka territori që mbulon. Në momentin që shohim se një problem i një personi mund të bëhet burim ngjarjeje, ne ndërhyjmë për të parandaluar. Tjetër punë e policisë është mbajta nën vëzhgim dhe nën presion e personave që kanë shfaqur tendencë për kryerje krimesh të ndryshme.

Gjatë analizës së punës së policisë për vitin 2007, u tha se në vijim puna do të përqendrohej te zbardhja e ngjarjeve të vjetra. Ku jeni me këtë objektiv?

Është një ndër prioritetet e punës sonë zbulimi i ngjarjeve të vjetra. Jemi në proces pune, por mund të them se po bëhet një punë mjaft e mirë nga ana jonë dhe konkretisht kemi zbuluar 9 ngjarje të vjetra të rënda. Të gjitha janë vrasje të ndodhura në periudhën 1997-2001. Për këtë kemi rifilluar hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Shkodër. Deri tani janë siguruar prova të mjaftueshme për autorët e këtyre ngjarjeve, të cilët janë persona që njihen si kontingjent kriminal dhe policia është në proces pune për goditjen e tyre, për të finalizuar punën e nisur.

Flitet për gjakmarrje në Shkodër. Cila është puna e policisë në këtë drejtim?

Për punën që kemi bërë në këtë drejtim flasin mjaft mirë shifrat. Në vitin 2007 nuk kemi pasur asnjë vrasje për motive gjakmarrjeje. Ndërkohë që në vitet e tjera numri i vrasjeve për gjakmarrje ka qenë mjaft i lartë. Puna e policisë në këtë drejtim ka qenë efikase, duke kontaktuar me familjet që janë të përfshira në këtë fenomen dhe duke vënë para drejtësisë të gjithë ata që kërkojnë heqjen e lirisë së tjetrit me anë të presionit.

Shkodra është një zonë kufitare. Çfarë është bërë për goditjen e kontrabandës dhe çfarë marrëdhëniesh keni me homologët e Malit të Zi?

Në këtë pikë më lejoni t‘ju bëj me dije se për vitin e kaluar janë goditur 16 grupe kriminale që kishin si aktivitet kontrabandën me Malin e Zi, kryesisht të cigareve dhe mjeteve motorike. Këtë vit kemi pasur dy raste arrestimi për trafik mjetesh motorike dhe për dhënie të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Tani kufiri me strukturën e re është në drejtori më vete, por bashkëpunimi me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër ka qenë mjaft i mirë. Për sa u përket marrëdhënieve me policinë e Malit të Zi, ato janë të shkëlqyera. Kemi një raport pune mjaft të mirë në dhënie dhe marrje informacionesh, me qëllim goditjen e grupeve kriminale, që kanë si aktivitet kontrabandën mes dy vendeve.

Viti 2007

Krimet

Në shkallë qarku janë evidentuar 570 vepra penale

Zbulimi

Janë zbuluar 478 vepra penale (83%), me 615 autorë

Arrestimet

254 persona janë arrestuar e ndaluar nga policia

Ndjekjet

279 persona janë ndjekur penalisht në gjendje të lirë

Kërkimet

158 persona janë shpallur në kërkim nga policia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›