Nuk ishte radha ime të lija "Ethet"
Himena Ymeri, vajza që dy net më parë u nda nga "Ethet" si e skualifikuar, ka bindjen se nuk ishte radha e saj për ta lënë spektaklin. Në moshën 19-vjeçare, maturante në shkollën e mesme ekonomike, ajo ndryshon nga konkurrentët e tjerë, sepse: 1) Nuk studion për muzikë (ngjashëm dhe Dorina Xërxa), 2) Ka provuar të gjitha çmimet, të parat, të dytat dhe të tretat, si pjesëmarrëse e rregullt në Festivalet e Fëmijëve në Tiranë dhe Shkodër. Himena është dhe e para këngëtare, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Evropian të Fëmijëve që u zhvillua në Tiranë më 1998, duke interpretuar këngën "Hapa dollapa". Ndaj, as skena e as çmimet për të nuk kanë qenë të reja. Por skena e "Etheve", mbetej një sfidë për të që edhe pse nuk ia arriti ta zotëronte deri në fund, sërish ndien se e ka sfiduar...
Si u përfshive në "Ethe"
Është hera e dytë që marr pjesë në "Ethe". Herën e parë jam futur në konkurrim në edicionin e dytë ku arrita deri në njëqindëshe dhe u eliminova si efekt i moshës së njomë dhe papjekurisë së zërit.
Kush ta vuri re këtë, pra papjekurinë e zërit?
Juria, të gjithë anëtarët e jurisë me të njëjtin mendim ishin.
Dhe më pas i thatë vetes...
Dhe i vura si synim vetes që kur të jem mjaftueshmërisht gati, të shkoj në "Ethe", siç dhe erdha këtë edicion.
U fute në "Ethe" thjesht për sadisfaksionin e pjesëmarrjes, apo me synimin për të qenë fituese?
Nuk e di, por them se kisha zgjedhur gjithçka në momentin e duhur dhe për këtë nuk do mjaftohej vetëm pjesëmarrja. Synoja për më shumë. Ndaj duhet theksuar fakti që unë ecja me kohën. Për shembull, kur isha në tetëdhjetëshe, pretendoja tridhjetëshen, më pas dhjetëshen dhe kështu gradualisht duke pretenduar për pesëshen, por nuk e kapa dot.
Pse mendon që nuk e kape?
Thjesht, podiumi ishte shumë i lartë për gjatësinë time. (qesh)...
Ju ndërkohë edhe radhën e kaluar u nominuat si humbëse. Por parmbrëmë e menduat që do ishit afër humbjes?
E mendoja skualifikimin. Shumë njerëz e kishin parashikuar ikjen time. Por ama e them me bindje se këndova mirë...edhe se nuk ishte radha ime që të largohesha.
Por e kujt?
Nuk e them e çdokujt, por e dikujt...
Thatë pasi u eliminuat se "ndiheshit e lumtur që kishit arritur deri në finale, sepse përveç teje e Dorina Xerxës, të gjithë konkurrentët e tjerë studiojnë në shkolla muzike".
Jeni e sinqertë në këtë që thatë?
Absolutisht po dhe mund ta përsëris në çdo intervistë.
Përse nuk keni ndjekur një shkollë muzike, por keni zgjedhur të studioni Ekonomi?
Sepse e kam parë më tepër veten si një ekonomiste e mirë...ose si një ekonomiste dhe këngëtare e mirë
A të erdhi të qaje, kur e pe veten të humbur?
Momentet e para doja vetëm të falënderoja pafundësisht njerëzit që më kanë ndenjur pranë; familjen, shoqërinë, shkollën. Duhet të përmend dhe ata që më kanë mbetur peng, ata që kanë punuar shumë për mua, stafin e "Pentium" dhe "Frontera", si dhe publikun që ka shpenzuar e votuar për mua. Lotët nuk i mbajta dot vetëm në momentet që takova babin dhe shokun e ngushtë.
Si ishte më pas mbrëmja, pas daljes nga teatri i Operës?
Kam kaluar orët e vona në një klub nate me kushërinjtë dhe shoqërinë e pastaj u ktheva në shtëpi me babin duke folur rreth eksperiencës së "Etheve", kësaj aventure të bukur e të vështirë.
Tani do merrni pjesë në "Top-Fest", pra do jeni sërish në skenë para publikut. Keni filluar të mendoni për këngën?
Do nis të mendoj kur të më jepet kënga.
Si është tani afeksioni me këngën?
Skualifikimi nuk cenon aspak lidhjen time me këngën
Do vazhdoj të këndoj për të treguar se cila është Himena se mbase nuk e tregova gjer në fund...