E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, NATO, BE. Edhe sa dite?

Në maj. Jo, në tetor. Në Riga. Jo, në Bukuresht. Jo, jo edhe pesë ditë dhe erdhi. Pas MSA-së, rruga është e shtruar. Ja, sa të përfundojë dhe të njihet pavarësia e Malit të Zi. Sa të përfundojnë zgjedhjet në Shqipëri. Mos harroni: Rrotacioni i parë paqësor, si provë e arritjes së një standardi të ri të demokracisë "së brishtë" shqiptare.

Akti i parë i paszgjedhjeve në Kosovë do të jetë shpallja e pavarësisë. E padiskutueshme. Jo, ne nuk na interesojnë fare zgjedhjet në Serbi, pasi ato nuk kanë lidhje me ne. Pavarësi e plotë. Jo. E kushtëzuar. E limituar. E kontrolluar. As që ia ndiejmë për Serbinë dhe miqësinë e saj me Rusinë. Kokën të hanë, (edhe pse rrjeti i pipelineve të gaz-naftësjellësve po na rrethon nga të gjitha anët, si gjymtyrët e një oktapodi). Madje, as ambasadori ynë në Moskë (jo ky i sotmi) nuk denjon të flasë me armiqtë tradicionalë dhe prodhon libra për show nacionalistik (!?)

Doni prova të tjera të patriotizmit dhe të gatishmërisë sonë kombëtare për pavarësinë e Kosovës, për integrimin tonë në NATO, në BE e kështu me radhë? Ja, edhe në Serbi fitoi evropianisti Tadiç, përkundër nacional-pro-rusit Nikoliç. Me 2 a 3 për qind më shumë, por fitoi ama dhe në këtë ne dhamë kontributin tonë në një gjë shumë të dhimbshme: E shtymë shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Po kjo fitore është në të mirë apo në të keq të përshpejtimit të shpalljes së pavarësisë? Mbase po të kishte fituar Nikoliç do të ishte një argument më shumë për përshpejtimin… Apo jo?

Po kur do shpallet? Më 7? Më 17? Kush do ta njohë e para? Shtetet e Bashkuara. Patjetër. E tha edhe Bushi në Tiranë. Pastaj Britania e Madhe, Gjermania, Franca… E, sa shtete evropiane nuk do ta njohin? Qipro (ah, problemi i Qipros!)… Pse nuk duhet që të jetë Shqipëria e para? Është kundër Spanja. Sikur nuk ishte. Po kanë zgjedhjet. (Ah, zgjedhjet dhe problemi bask! Ah edhe problemi katalunjas)… Po tjetër? Greqia (Ah, problemi i Qipros, sërish…) Dhe dikush nuk mëton të përmendë edhe rrënjët ortodokse të kësaj lidhjeje…

…Pak a shumë këta janë titujt kryesorë (headlines do të shkruante Mustafa Nano) të të gjitha llojeve të mediave të këtyre kohëve të fundit në "Shqipërisë natyrale", siç shprehet me vendosmëri të pandryshueshme Koço Danaj. Këto janë tashmë edhe pjesë e rëndësishme e shqetësimeve të shqiptarëve, kudo që janë. Në disa ambiente të një krahu ndizen qirinj që asnjëra të mos ndodhë; pra as pavarësia e Kosovës, as ftesa për në NATO, pavarësisht deklarimeve të atyre, që aktualisht posedojnë zyrat drejtonjëse. Kruajnë kokën dhe mërmërisin me njëri-tjetrin: Do të fitojë me këtë rast Berisha… Duam, s‘duam ne, ai do t‘i korrë frytet… Ah!

Që shqetësimi i shqiptarëve është (së paku në këtë rast), i njësuar me atë të qendrave më të mëdha politikëbërëse të botës. Kjo, pa asnjë dyshim është provë reale e integrimit të realitetit shqiptar në realitetet globale, sigurisht integrim ky i kushtëzuar në një masë të ndjeshme nga fakti se bëhet fjalë për Kosovën, që është edhe një nga kryetemat e politikës dhe diplomacisë botërore.

Në të vërtetë, historia e pavarësisë së Kosovës në veçanti dhe e marrëdhënieve të reja të krejt rajonit tonë me realitetet euroatlantike në përgjithësi, janë ku e ku më të ndryshme nga ankthi populist dhe i padobishëm i datës së shpalljes së saj. Tashmë është një e vërtetë e pamohueshme, thuajse nga askush, se kthimi Kosovës nën Serbi as që mund të mendohet. Eshtë e pranuar se pavarësia e saj është vulosur që në hedhjen e parë të bombave nga ana e NATO-s në territorin kosovar. Pavarësinë e saj e ndihmoi këmbëngulja e lidershipit kosovar që t‘i koordinonte të gjitha veprimet e veta me faktorin vendimmarrës të politikës botërore. "Durimi" i tyre në negociatat, pavarësisht se fundi i tyre dihej, vijueshmëria e një politike të jashtme konstruktive dhe bashkëpunuese të shtetit shqiptar, që dëshmonte gatishmërinë dhe kontributin e tij për stabilitetin e rajonit, si dhe në rrugën e integrimit euroatlantik kanë qenë pa asnjë dyshim një tjetër element tepër i rëndësishëm, që shpërndau me sukses mjegullën dashakeqëse dhe abuzuese, se pavarësia e Kosovës donte të thoshte Shqipëri e Madhe.

Sigurisht, në këtë përballje, jo vetëm diplomatike me Beogradin, ne kemi pasur një aleat ku e ku më të rëndësishëm se sa aleancat politike të së sotmes: ne kemi pasur në krah të drejtën për të rivendikuar një padrejtësi historike të pranuar botërisht: ndarjen e padrejtë të Kosovës nga trungu i vet natyral, Shqipëria. Ashtu siç edhe kemi kuptuar qysh herët se, siç do shprehej miku im Arbër Xhaferri, ne e ndiejmë se jo vetëm konstitucionit tonë shpirtëror, por edhe ardhmërisë kombëtare i "konvenonte" procesi i integrimit euroatlantik.

E, megjithatë, lind pyetja: Pse kjo "ethe" datash, ditësh, orësh? Pa rënë në gjykimin profan se data e shpalljes së pavarësisë - kupto, e marrjes së ftesës për në NATO, BE e kështu me radhë, - nuk ka kurrfarë rëndësie, nga ana tjetër duhet pohuar se edhe ndërtimi i të gjithë politikëbërjes thjesht dhe vetëm mbi data limit është produkti më i mirë i një politike populiste, për të mos thënë më shumë se kaq: është një mënyrë e djallëzuar (bizantine) shmangieje nga përballimi i problemeve tona të brendshme, që duhet të zgjidhen me ndjenjë përgjegjësie.

Në këtë këndvështrim, zgjidhja përfundimtare e problemeve të energjisë në Shqipëri, përgatitja e regjistrit të popullsisë, shkokolepsja e problemit të pronave, krijimi i një tregu vërtet të lirë e konkurrues, ndërtimi i një administrate të qëndrueshme e profesionale, shkurt reformat jetike që prodhojnë mirëqenie dhe zhvillim harmonik, janë ku e ku më të rëndësishme se sa data apo "ftesa" e Bukureshtit. Nga ana tjetër, demonstrimi i aftësive qeverisëse, i aftësive të bashkëjetesës me kundërshtarin, të ndryshmin, - edhe etnikisht, - si dhe e funksionimit të institucioneve (të atyre institucioneve që realisht varen nga qeveria e Kosovës) do të ishin me më shumë vlerë se sa loja populiste e datave, apo e deadline-ve, sikundër thonë në zyrat e prezencës ndërkombëtare në Kosovë.

Që Kosova do të jetë e pavarur, kjo nuk ka asnjë diskutim. Se në ç‘datë, kjo mendoj se nuk ka shumë rëndësi, veçanërisht po të mbajmë parasysh se të paktën për pesë vjet kjo do të jetë një pavarësi e asistuar - për të përdorur termin më të butë, - çka do të thotë se përfaqësuesi kryesor ndërkombëtar nuk do ta marrë më rrogën në Nju Jork, por në Bruksel, se UNMIK-u do të thirret ndryshe EUROLEX… Dhe sërish do të rikthehemi tek ato që thamë: sa gati jemi në këtë përballje me realitetet e reja ashpërsisht konkurruese, që përkthyer në shqip do të thotë në një realitet ku askush nuk "të fal" asgjë? Si i kemi punët me rrogat, me makroekonominë, me kriteret e Kopenhagenit, me nivelin e jetesës, me aftësinë shtetformuese?

E, në këtë këndvështrim, asnjëherë nuk mund të themi se nuk na intereson se ç‘bëhet në Serbi, apo edhe në Sri Lanka apo Bangladesh qoftë… Minimalisht, si pjesë e tregjeve të hapura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›