Si keqpërdoren taksat e shqiptarëve
Taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë keqmenaxhimin e investimeve, që më pas dalin nga xhepat e tyre. Çdo dy vjet rikonstruktohet një qendër për të moshuarit dhe jepen fonde që keqmenaxhohen dhe dalin nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Dy herë rikonstruktohet brenda pak vitesh e njëjta shtëpi e të moshuarve në Kavajë dhe më pas, taksapaguesit shqiptarë paguajnë kredinë, në bazë të kontratës së nënshkruar.
Historia e një keqmenaxhimi
Në vitin 2004 është rikonstruktuar shtëpia e të moshuarve në Kavajë. Tre vjet më vonë jepen rreth 39 milionë lekë të reja për të rikonstruktuar shtëpinë e rikonstruktuar. Kjo shtëpi të moshuarish është ndërtuar në vitin 1993 nga "Caritas"-i. Deri në vitin 1997 nuk ka funksionuar. Pikërisht në këtë vit janë futur të moshuarit e parë në këtë shtëpi (azil). Gjendja ka qenë e mjerueshme, pas shkatërrimit që iu bë kësaj qendre në vitin 1997. Në vitin 2004 u dha një fond prej 17 milionë lekësh të reja për rikonstruksionin e këtij qendre. Sipas përgjegjëses së sektorit të administratës së shtëpisë së të moshuarve në Kavajë, znj. Drita Fasa, me këto fonde u ndërtua kati i dytë i qendrës dhe përfundoi edhe pajisja e ambienteve me orenditë e nevojshme. Gjatë kohës kur filloi ndërtimi i katit të dytë u hapën shumë probleme me tavanin e shkatërruar, hyri shumë lagështirë, që u duk se u zhduk pas rikonstruksionit.
Shërbimi Social Shtetëror
Të njëjtën gjë konfirmon edhe drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, znj. Vilma Premti. Sipas saj, kjo shtëpi të moshuarish, deri në mesin e vitit 2006, ishte në kompetencat e Shërbimit Social Shtetëror. Aktualisht, është nën administrimin e pushtetit vendor në Kavajë. Deri në vitin 2003, kur u vendos rikonstruksioni, ishte në kushte të vështira dhe jo të mira hidrosanitare. Rikonstruksioni i parë mbaroi në vitin 2005. Dy vjet më pas u vendos të rikonstruktohej e njëjta shtëpi të moshuarish, ajo e Kavajës, kësaj radhe në bazë të një projekti që bëri Banka Botërore.
"Banka Botërore kreu një projekt për përmirësimin e kushteve në këtë shtëpi të moshuarish. U dha një kredi e butë, me kushte të lehta shlyerjeje", sqaron drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror. Pra, u dhanë 39 milionë lekë të reja nga Banka Botërore. Por problemi është që këto 39 milionë lekë janë të falura apo do t‘i paguajë dikush? Bëhet fjalë për një kredi, shlyerja e së cilës fillon 10 vjet pas përfundimit të investimit dhe që parashikohet të mbyllet brenda këtij viti. Po kush e paguan këtë kredi? Nga xhepi i kujt do të dalin lekët për shlyerjen e kësaj kredie, sado e butë qoftë ajo? Drejtoresha Premti sqaron se është taksapaguesi shqiptar që paguan.
Kredia nuk është e vogël, rreth 39 milionë lekë të reja. Kur gazetarët e "Fiks Fare" e pyetën drejtoreshën e Shërbimit Social Shtetëror se përse u vendos të rikonstruktohej një qendër që ka vetëm dy vjet e rikonstruktuar, ajo tregon standardet e reja që miratoi qeveria shqiptare në vitin 2006 për shtëpitë e të moshuarve. Meqë shtëpia e të moshuarve në Kavajë nuk i plotësonte këto standarde, u vendos të rikonstruktohej, edhe pse ishte rikonstruktuar një herë. Grupi i xhirimit të "Fiks Fare" shkoi në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë ku po punohej. Ata vunë re se po shkatërroheshin dyert dhe pllakat e reja, të vendosura dy vjet më parë, për t‘u zëvendësuar me të reja.
Banka Botërore
"Fiks Fare" shkoi dhe takoi shefen e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Camille Nuamah. "Do ta shohim nga afër këtë rast të veçantë, si ishte kontrata dhe nëse ishte i nevojshëm për t‘u bërë ky shpenzim", premtoi ajo. Ndoshta, vetë Banka Botërore nuk është informuar siç duhet
Statistikat
Në Shqipëri janë 26 qendra të moshuarish. BB vendosi të rikonstruktojë pikërisht shtëpinë e të moshuarve në Kavajë, pasi e kanë parë të shkatërruar pa e ditur se ishte investuar dy vjet më parë. Investimi i parë prej 17 milionë lekësh iku kot, atë do ta paguajmë ne, taksapaguesit shqiptarë