E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza elektorale dhe politika e korruptuar

Studimi i fundit që publikoi ‘Global Transparency International‘ nuk solli ndonjë gjë të re në lidhje me Shqipërinë për renditjen e saj në kreun e listës së vendeve më të korruptuara në botë. Kjo është bërë e ditur me kohë, sepse është aksiomatike ekzistenca e një niveli të lartë korupsioni për një vend ku klasa politike nxit dhe stimulon pjesë të tëra të shoqërisë për të manipuluar procesin dhe për të vjedhur votat, deri në një falsifikim tërësor të rezultatit zgjedhor. Kjo politikë korruptive mbi dhjetvjeçare për grabitje të pushtetit përmes dhunimit të procesit zgjedhor dhe falsifikimit të rezultatit elektoral është leuçemia e shoqërisë së sotme shqiptare, e cila është zhytur në errësirën e plotë të kolapsit të zhvillimit të saj.

Kur shtrohet pyetja, se cili sektor i jetës është më i korruptuari në Shqipëri, padyshim që në krye do të duhet të renditet sektori politik, ku parlamenti i sotëm, si institucioni më i rëndësishëm i politikës dhe i një shoqërie që aspiron demokraci dhe zhvillim, përbën "një produkt të degjeneruar gjenetikisht", i cili gjeneron vetëm kriza pafund. Në qëndër të rrethit vicioz të këtyre krizave të gjithanshme që kanë mbështjellë shoqërinë shqiptare në çdo drejtim të zhvillimit të saj, qëndron kriza elektorale, prej së cilës gërdalla e politikës së sotme e ka thuajse të pamundur të ndahet.

Kriza elektorale është provokuar në mënyrë të vazhdushme nga politika e tranzicionit që u kompromentua dhe u diabolizua brenda një kohe të shkurtër si reminishencë e zgjatur e sistemit totalitar në luftën për pushtet, duke dhunuar parimin e madh të demokracisë për rotacionin e qeverisjes dhe institucionin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

1. Sistem maxhoritar me dy raunde më 31 Mars 1991

Në zgjedhjet e 31 Marsit 1991, me qëllim që të siguronte një vazhdimësi të qeverisjes së saj edhe në sistemin e ri politik të sapokrijuar, Partia e Punës në fuqi (PP) aplikoi në 250 zona elektorale sistemin maxhoritar me dy raunde, TRS (Two Round System). Sigurisht, lidershipi i saj i vjetër e kishte llogaritur se do të garantonte një fitore të plotë, për faktin se shumica e tyre ishin zona rurale dhe mund të menaxhoheshin lehtë politikisht. Në sajë të këtij "avantazhi" diabolik që përdori, PP fitoi 68 përqind të vendeve në parlamentin e parë pluralist (170 deputetë), ndërsa Partia Demokratike (PD fitoi 30 përqind të vendeve (75 deputetë). Nga ana tjetër, PP me vetëm 17 përqind më shumë të votave në shkallë vendi siguroi 38 përqind vende më shumë në parlament se PD (95 deputetë më tepër). Ky deformim i dukshëm i përfaqësimit politik në dëm të PD-së ishte tepër provokues dhe nuk garantonte stabilitet në shoqëri, për më tepër pengonte zhvillimin e demokracisë dhe pluralizmit, veçanërisht në situatën e rënduar ekonomike të kohës.

2. Sistem (PAP) më 22 Mars 1992

Në zgjedhjet e 22 Marsit 1992 sistemi elektoral u transformua tërësisht, nga një sistem maxhoritar me dy raunde në një sistem proporcional të personalizuar, apo si emërtohet ndryshe në teorinë dhe praktikën e projektimit të sistemeve zgjedhore: MMP (Mixed Member Proportional), që do të mund të shqipërohej: Proporcional me Anëtarësi të Përzier (PAP). Në 100 zonat elektorale të krijuara rishtas çdo zgjedhës përdori një fletë votimi, e cila vlente njëkohësisht si për kandidatin për deputet që konkuronte në zonën elektorale, ashtu edhe për listën e përfaqësimit proporcional të partisë, në emër të së cilës ai kandidonte. Në këto zgjedhje që u zhvilluan me dy raunde kur asnjë nga kandidatët nuk fitonte 50 përqind të votave, numri i vendeve në parlament të çdo partie të kualifikuar që kalonte pragun elektoral prej 4 përqind, do të ishte në përputhje me përqindjen e votave totale të kandidatëve të saj në shkallë kombëtare, por asnjëherë më i lartë se numri i mandateve që ajo kishte fituar drejtpërdrejt.

Ky përbënte thelbin e proporcionalitetit të plotë të këtij sistemi të personalizuar, proporcionalitet që sigurohej edhe nga mundësia e "lëvizshmërisë të numrit tavan" prej 140 deputetësh të parlamentit që u krijua në 22 Mars 1992, në rastin kur një parti do të merrte më shumë mandate të drejtpërdrejta se sa do t`i takonin sipas përqindjes elektorale të partisë. Në fakt, mënyra se si ishte formuluar ligji elektoral nga autorët e tij, për pakujdesi apo "origjinalitet", bënte që në raste të veçanta, për të ruajtur proporcionalitetin e sistemit elektoral,"lëvizshmëria e numrit tavan" të ishte tejet e lartë, duke rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e deputetëve mbi numrin bazë 140, gjë që do ta kompromentonte sistemin deri në degjenerim të tij.

***

PD mori një shumicë të dukshme prej 92 deputetësh në këto zgjedhje, kundrejt 38 që mori PS (Partia Socialiste pas shndërrimit të PP-së), 7 deputetë PSD, 2 PBDNJ dhe 1 deputet PR. Pra, PD realizoi një maxhorancë thuajse të pakontrolluar nga pikpamja konstitucionale, gjë që stimuloi shpejt abuzimin e saj me pushtetin qeverisës që u shfaq dukshëm në spastrimet në administratën publike, në privatizimin e ndërmarjeve, në etjen e për të kontrolluar çdo institucion të pamvarur nga politika, sidomos mbi prokurorinë dhe gjykatat. Institucioni i Presidentit mbeti i politizuar në mënyrë të tejskajshme. Ai nuk arriti të përmbushë asnjëherë funksionin e tij kushtetues të përfaqësuesit të unitetit të popullit.

Pas theqafjes presidenciale në referendumin popullor për projekt kushtetutën në Nëntor 1994, Institucioni i Presidentit në vend që të tërhiqej dhe të reflektonte për gabimet e mëdha në dy vjet qeverisje, përkundrazi, ai e rriti më tej shkallën e agresivitetit dhe të diabolizmit të tij. Nën hijen e këtij Institucioni tërësisht të personalizuar mbinë dhe lulëzuan skemat piramidale të kompanive mashtruese që grabitën paratë e shqiptarëve. Pas dështimit në referendum me projektin e kushtetutës, lidershipi më shumë se autokratik i PD-së ndjeu humbjen në zgjedhjet e ardhshme politike dhe filloi përgatitjen e terrenit elektoral për manipulimin e tyre. Në këto përgatitje që synonin mbajtjen me çdo kusht të pushtetit qeverisës përmes manipulimit deri në dhunim të zgjedhjeve, u vendos të ndryshohej tërësisht edhe ligji ekzistues për sistemin elektoral.

3. Sistem i përzier më 26 Maj 1996 dhe 29 Qershor 1997

Ajo që vendosi lidershipi i PD-së për të mbajtur pushtetin qeverisës me çdo kusht ndodhi në përmasa që as vetë ky lidership nuk i kishte parashikuar. Në zgjedhjet e 26 Majit 1996 sistemi elektoral ndryshoi tërësisht. Duke përcaktuar një "tavan të palëvizshëm" të numrit prej 155 vendesh në parlament, Shqipëria u nda në 115 zona elektorale, të cilat, për të krijuar terrenin e favorshëm elektoral ku do të vepronin mekanizmat e ndërtuara që do të realizonin manipulimin e zgjedhjeve, u krijuan në trajtën "Salamandër. Në këto zgjedhje çdo votues do të përdorte dy fletë votimi, ku njëra votë ishte për kandidatin që konkuronte drejtëpërdrejt për deputet në një nga 115 zonat elektorale njëemërore(pjesa maxhoritare e sistemit) dhe vota tjetër ishte për listën shumëemërore të partisë, që shërbente për ndarjen e 40 mandateve shtesë (pjesa proporcionale e sistemit). Ky ishte një sistem i përzier maxhoritar - proporcional, ose siç njihet ndryshe edhe me emrin sistem paralel.

Në bazë të kësaj formule, pamvarësisht nga numri i deputetëve që çdo parti fitonte direkt në zonën zgjedhore u shtohej në çdo rast edhe numri i mandateve që ajo fitonte nga numri shtesë prej 40 vendesh sipas përqindjes elektorale që fitonte partia në shkallë kombëtare kur kalonte pragun elektoral prej 4 përqind. Ky sistem elektoral që merrte trajtë thuajse tërësisht maxhoritare u sajua për të favorizuar dukshëm krijimin e maxhorancave qeverisëse të një partie të vetme, me pasojë jo vetëm zhdukjen e partive të vogla, por edhe bllokimin e zhvillimit të mëtejshëm të pluralizmit në vend.

Më 26 Maj ‘96 mekanizmat partiake dhe shtetërore të ndërtuara për manipulimin e zgjedhjeve u vunë në lëvizje nga vullneti i mbrapshtë diabolik i lidershipit të PD-së që kërkonte mbajtjen me çdo kusht të pushtetit qeverisës. Ato punuan me një intensitet dhe tensionim të pallogaritur duke e tejkaluar "rendimentin e përcaktuar" për manipulimin e zgjedhjeve dhe falsifikimin e rezultatit zgjedhor dhe çuan deri në shkatërrimin elektoral të opozitës. Produkti i këtyre zgjedhjeve tërësisht të dhunuara ishte krijimi i parlamentit "njëthundrak" të PD-së, në jetëshkurtësinë e të cilit u rrënuan dhe skemat piramidale mashtruese që grabitën paratë e shqiptarëve. Mbi revoltën e tyre dhe mbi rrënojat e shtetit që po binte, në kulmin e gjëndjes së jashtëzakonëshme, parlamenti "i tredhur" kurorëzoi unanimisht Presidentin që këtë herë e dorëzoi mandatin pas afro 6 muajve, pas shkatërrimit në zgjedhjet e parakohshme të zhvilluar pas një viti, më 29 Qershor 1997.

***

Zgjedhjet e parakohshme të 29 Qershorit ‘97 u imponuan nga situata tejet e rëndë në Shqipëri pas dhunimit të institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të drejta, më 26 Maj 1996, grabitjes masive të parave të shqiptarëve në skemat piramidale, si dhe nga humbja totale e mbështetjes për qeverisjen, tashmë autokratike dhe gati totalitare të PD-së, nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga SHBA, BE etj. Këto zgjedhje do të zhvilloheshin nën përgjegjësinë e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, e krijuar mbi bazën e marrëveshjes politike të 9 Marsit, e cila u ngarkua që të drejtonte edhe procesin e përgatitjes së ligjit të ri elektoral.

Por diabolizmi i lidershipit të PD-së nuk kishte të sosur. Në momentin kur ligji i përgatitur nga ekspertët e partive, që në thelb ishte sistem proporcional i personalizuar, u paraqit për miratim në parlament nga Ministri i Drejtësisë i kohës, supermaxhoranca parlamentare e PD-së shkeli marrëveshjen dhe miratoi të njëjtin sistem elektoral që u përdor një vit më parë në zgjedhjet e dhunuara të 26 Majit. Në fakt, një pabesi e tillë, këtë herë ndëshkoi vetë PD-në. Në këto zgjedhje PS siguroi një supermaxhorancë duke fituar 100 vende në parlament, kundrejt 27 vendeve që mori PD. Partitë e tjera fituan 10 PSD, 4 PBDNJ, 2 PAD, 3 të pavarur etj. Raporti koalicion i majtë qeverisës - opozitë e djathtë ishte afro 4:1 që tregonte për një nivel të ulët të pluralizmit demokratik dhe potencial të lartë për reminishenca të autokracisë qeverisëse.

4. Sistem PAP më 24 qershor 2001 dhe 3 Korrik 2005

Në Kushtetutën e Re të miratuar me referendum në Nëntor të vitit 1998 u përfshi edhe sistemi elektoral. Në fakt, në kushtetutë u përcaktua sistemi PAP si në zgjedhjet e vitit 1992 me disa ndryshime: Numri prej 140 deputetësh përbënte tashmë "një tavan të palëvizshëm", pragu elektoral zbriti në 2,5 përqind dhe për koalicionet e partive 4 përqind. Në thelbin e tij sistemi elektoral ishte dhe mbetet ende në fuqi sipas Kushtetutës një sistem proporcional i personalizuar, përmes shprehjes së tij në Nenin 64, pika 2: "Numri i përgjithshëm i vendeve të deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve". Pra Kushtetuta përcakton që zgjedhjet zhvillohen me dy raunde, por nuk përcakton që votuesi do të votojë me një apo me dy fletë votimi. Shprehja në raport sa më të afërt parashikon se pastërtia e proporcionalitetit të sistemit mund të dëmtohej në rastin kur një parti merrte më shumë mandate të drejtpërdrejta se sa do t`i takonin asaj sipas votave proporcionale të marra në të gjithë vendin. Në një rast të tillë, kur zhvillimi i zgjedhjeve do të ishte një proces normal i pacënuar nga vullneti i politikës, "tavani i palëvizshëm" prej 140 vendesh nuk do të mund ta deformonte proporcionalitetin e sistemit në përmasa të ndjeshme.

***

Në Kodin Zgjedhor që u përdor në zgjedhjet politike të vitit 2001 u përcaktua që çdo votues do të përdorte dy fletë votimi, ku njëra votë ishte për kandidatin që konkuronte në një nga 100 zonat elektorale njëemërore dhe tjetra për listën e shumëemërore të partisë. Përdorimi i dy fletëve të votimit dhe ulja e pragut elektoral përbënin ndryshime që tentonin t`i jepnin më shumë mundësi zgjedhje votuesit në hapësirën që krijohej ndërmjet kandidatëve në zonat njëemërore dhe partive të përfshira në garën elektorale. Por vullneti i mbrapshtë politik i lidershipit të supermaxhorancës së PS-së, duke synuar veç pushtetit qeverisës edhe marrjen me çdo kusht të postit të Presidentit, fabrikoi mekanizma diabolikë antiligjorë dhe antikushtetuesë për të arritur synimin e tij me pasoja të tjera shkatërruese të institucionit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kështu, në zgjedhjet e 24 Qershorit 2001 PS në mënyrë absurde paraqet si kandidatë të pamvarur 19 personalitete politike të saj në zonat e saj të sigurta, në mënyrë që të përfitonte në mënyrë spekullative dhe antikushtetuese mandate nga pjesa proporcionale për të siguruar një maxhorancë presidenciale të saj. Kësaj lëvizje diabolike të lidershipit të PS-së ju përgjigj me një superdiabolizëm lidershipi i PD-së, i cili paraqiti si të pamvarur 97 kandidatë të saj nga 100 zona njëemërore gjithsej. Zgjedhjet, siç thotë populli, po shkonin "për lesh", drejt fitores së "të pamvarurve", duke çuar në greminë demokracinë dhe pluralizmin. Vetëm pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, binomi diabolik PS & PD u tërhoq nga kjo sipërmarrje katastrofike.

***

Megjithatë, lidershipi i PS-së ndryshoi taktikë. Pas raundit të parë, ky lidership vlerësoi se nuk do të mund të fitonte mandate nga pjesa proporcionale, sepse do të siguronte më shumë mandate të drejtpërdrejta se sa do t`i takonin në proporcional. Për këtë qëllim u inskenua shtyrja e procesit të votimit në zonën nr. 60, një nga zonat me mbështetje tepër të gjërë të PS-së. Në këtë zonë PS i trafikoi thuajse të gjitha votat e saj proporcionale që tashmë nuk i duheshin më, në favor të PAD, PBDNJ dhe PAA, të cilat mundën ta kapërcejnë barrierën elektorale, duke marrë nga 3 deputetë sejcila. Trafikimi i votave proporcionale nuk ishte thjesht një e ashtuquajtur "votë strategjike", por një shkelje e hapur kushtetuese, nuk ishte një deformim i parashikuar në sistemin elektoral kushtetues, por një dhunim i qëllimshëm i Kushtetutës, duke deformuar në parlament raportin numerik maxhorancë/opozitë nga 1,33 në 1,69; pra, në një masë prej afro 30 përqind në favor të së parës. Ky proces trafikimi, ndonëse nuk ndryshoi drejtimin e qeverisjes, i humbi të drejtën opozitës së drejtuar nga PD që të kontrollonte procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës të synuar nga lidershipi i PS-së.

Në një kontekst të tillë, shkeljet e procesit e zgjedhor u evidentuan në raportet e ODIHR/OSBE, si dhe në deklarata e rezoluta të institucioneve ndërkombëtare si KE, BE, SHBA, etj. Tashmë termi "Dushk 2001". PD dhe aleatët e saj sensibilizuan intensivisht dhe e bindën faktorin ndërkombëtar për pamundësinë e zgjedhjes së Presidentit nga radhët e koalicionit të majtë qeverisës, për shkak të fiktivitetit numerik të maxhorancës parlamentare. Zhvillimet politike, të imponuara edhe nga qëndrimi i unifikuar i institucioneve politike ndërkombëtare, çuan në zgjedhjen nga parlamenti të Presidentit të Republikës përmes një kandidature të paraqitur me konsensus nga binomi PS & PD. Detyra kryesore që shtruan këto institucione ishte realizimi i reformës zgjedhore përmes një komisioni bipartizan, sidomos për të eleminuar fenomenin "Dushk" nga zgjedhjet e ardhshme politike, që u zhvilluan më 3 Korrik 2005.

***

Të dy komisionet bipartizane që u ngritën gjatë kësaj periudhe dështuan tërësisht në veprimtarinë e tyre. Fenomeni "Dushk" jo vetëm që nuk u eleminua nga procesi zgjedhor, por ky fenomen u zhvillua më tej në mënyrë galopante në të gjitha zonat zgjedhore të Shqipërisë, duke u futur në terminologjinë politike si procesi "MegaDushk 2005". Ky proces u nxit publikisht nga politika e vjetër për mbijetesë politike, elektorale dhe pushtet qeverisës. Thirrja publike e kësaj politike për trafikim të votave maxhoritare dhe proporcionale, u bë lejtmotivi i tërë veprimtarisë elektorale të të gjitha partive politike. Inflacioni i lartë që përfshiu votën proporcionale, bëri që rezultati i procesit zgjedhor tij të falsifikohej në përmasat e një katastrofe elektorale.

Kjo katastrofë u materializua në përbërjen numerike të një parlamenti të përçudnuar të ngritur mbi falsifikimin e rezultatit zgjedhor, i cili deformoi në parlament raportin numerik: Koalicioni (PD)/Koalicioni (PS) + LSI nga 0,84 në 1,12; pra, 145 përqind në favor të së parës, duke ndryshuar në mënyrë spekullative edhe drejtimin e pushtetit qeverisës në favor të PD-së. Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), si një forcë e re e së majtës dhe tërë politikës shqiptare në tërësi, mori 8,4 përqind të votave në shkallë vendi, pa u përfshirë në asnjë nga koalicionet e zhyera në këtë proces të trafikimit masiv të votave proporcionale. Parti hijena, si PR dhe PSD, nga ky trafikim masiv i votës përfituan përkatësisht afro 21 dhe 13 përqind të votave proporcionalit. Pjesa e mbetur e proporcionalit që dergjej në agoni, e deklaruar e panevojshme nga PS & PD gjatë fushatës, u shqye nga hijenat e tjera aleate të këtyre partive, si PAA, PDR, PAD,PBDNJ, PDK, PDS etj.

Rezultati zgjedhor i procesit "MegaDushk 2005" ishte një tragjikomedi elektorale e vërtetë. Binomi PS & PD me aleatët e tyre drejtuan përmes një procesi të tërë kompromentimi deri në inkriminim pjesë të tëra të shoqërisë. Në këtë proces korruptimi total u përfshinë një pjesë e madhe e votuesve të të koalicioneve respektive të PS & PD, komisionerët dhe grupet e numurimit të votave, duke çuar në dhunimin e plotë të sistemit zgjedhor kushtetues.

***

Tashmë, politika e vjetër shqiptare po përgatit akte të tjera të tragjikomedisë elektorale në tryezat e dështuara të komisioneve bipartizane që ky parlament i përçudnuar u shtyn pambarimisht mandatin. Diskutimet pambarim për sistemet zgjedhore nuk do të kenë të sosur. Me sa duket shtyrja e mandateve, si zakonisht, do të çojë në një mandatë të re elektorale. Mos qoftë e thënë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›