E Diel, 1 Nëntor 2026

Fishekzjarrët, 400 tonë për festat

Aktualisht, mbi 400 tonë fishekzjarrë janë zhdoganuar gjatë muajit dhjetor nëpër dogana, por shifra pritet të rritet në ditët në vazhdim, për shkak të traditës "alla shqiptare" për të festuar ndërrimin e viteve nën efektin e zhurmave dhe shpërthimeve të fishekzjarrëve, se sa me një gotë verë përpara. Vitin e kaluar janë zhdoganuar rreth 784 tonë fishekzjarrë dhe burime nga drejtoria e doganave bëjnë me dije se për këtë vit ky numër pritet të jetë më i lartë, mbi 800 tonë. Zhdoganimi i tyre ka nisur që në ditët e para të dhjetorit. Vetëm një pjesë e vogël e tyre është porosi e strukturave të shtetit për të dekoruar dhe zbukuruar qytetet ditën e ndërrimit të viteve, ndërsa pjesa më e madhe janë porosi të subjekteve të ndryshme tregtare. Këtë vit është vënë re se përdorimi i fishekzjarrëve ka nisur pak më herët se sa festat e vitit të ri. Tashmë tradita për të hedhur fishekzjarrë ndiqet jo vetëm për natën e vitit të ri, por edhe për festa ditëlindjesh, apo në rastin më të fundit për festën e Bajramit, ku besimtarët myslimanë festuan edhe me fishekzjarrë. Edhe nga fëmijët, apo nxënësit e shkollave, përdorimi i tyre ka nisur pak më herët. Kapsollat plasëse, të emërtuara ndryshe si shashka, janë "lodra" më e preferuara e brezit të ri, të cilat nuk shkaktojnë asnjë efekt zbukurues përveç zhurmës. Sasi të mëdha fishekzjarrësh kanë zbarkuar në Shqipëri nga Kina, që është edhe furnizuesi më i madh i këtyre produkteve. Pas Kinës, janë Zvicra, Turqia dhe Maqedonia, vendet ku Shqipëria furnizohet me fishekzjarrë, të cilët janë nga më të thjeshtët dhe deri tek më të rëndët. Këta artikuj jo pak të kushtueshëm kanë nisur që të fryjnë tregjet që janë mbushur me gjithfarë mallrash nga Kina dhe vende të tjera aziatike, të cilat kanë gjetur hapësirën e duhur për një klientelë të sigurt në Shqipëri. Një pjesë e lodrave të ardhura nga Kina janë cilësuar si të rrezikshme, ndërkohë që mjaft fishekzjarrë kanë efekt të lartë rrezikshmërie, por ndryshe nga lodrat që u ndaluan me vendim të Këshillit të Ministrave, fishekzjarrët nuk ka qeveri t‘i ndalojë në këtë shtet. Një tjetër problem mbi këtë çështje është tregtimi i këtyre objekteve te fëmijët e vegjël, të cilët mjafton të kenë paratë në xhep dhe shitësit pa pyetur për moshën u japin fishekzjarrë.

Festat e fundvitit

Deri tani, asnjë vendim për të ndaluar përdorimin e fishekzjarrëve

Çmimet, lodrat plasëse kushtojnë sa një gjel deti

Edhe këtë vit shteti është treguar i pafuqishëm për të ndaluar shitjen e shashkave apo edhe fishekzjarrëve të mëdhenj, të cilët kanë një rrezikshmëri të lartë për njerëzit. Fëmijët janë përdoruesit më të mëdhenj të tyre dhe eliminimi i përdorimit të këtyre lëndëve nga fëmijët do të shmangte edhe aksidentet apo djegiet nga fishekzjarrët. Qeveria ka nxjerrë një urdhër publik për ndalimin e të gjitha lodrave që kanë rrezikshmëri për përmbajtjen e plumbit mbi nivelet e lejuara, por ndërkohë nuk ka marrë asnjë vendim për të bllokuar përdorimin e fishekzjarrëve me rastin e festave të fundvitit. Në të gjithë botën, është shtetit në bashkëpunim me pushtetin vendor që kujdesen për panoramën e bukur të qytetit gjatë orës së ndërrimit të viteve dhe nuk janë individët e thjeshtë ata që mbajnë fishekzjarrë në duar, por shijojnë atmosferën e krijuar nga subjektet e caktuara. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Të gjithë duan të bëhen protagonistë kryesorë të festave të fundvitit dhe zgjedhin mënyrën e gabuar. Gjithsesi, ajo që është e qartë në prag të festave është zbrazja e buxhetit familjar, pasi përveç rritjes së çmimeve të fruta-perimeve, shqiptarët duhet të përballen edhe me çmimet marramendëse të fishekzjarrëve. Në tregun shqiptar dominojnë produktet e Kinës dhe fishekzjarrët kanë filluar të shiten edhe në rrugë, përveçse në dyqane. Janë cilësuar si sukses i shitjes për festën e Vitit të Ri dhe mjaft tregtarë kanë preferuar ta kenë këtë mall në dyqanin e tyre. Çmimi më i lirë i një fishekzjarri është 100 lekë, ndërsa çmimi më i lartë është 8000 lekë. Në treg janë gjithashtu edhe shashkat e vogla që kushtojnë nga 10-100 lekë. Kanë forma të ndryshme kur ekspozohen në qiell dhe mes modeleve të vjetra të para edhe një vit më parë, këtë herë janë edhe modelet e reja, ku rasti më i veçantë është fishekzjarri i cilësuar si bomba e sajuar. Këto tipe fishekzjarrësh lëshojnë në qiell një panoramë të shkëlqyer të shoqëruar me një zhurmë të fuqishme, e cila ngjason me atë të një bombe.

Më të shiturat

Shashkat dominojnë klasifikimin

Janë fëmijët përdoruesit dhe blerësit më të mëdhenj të fishekzjarrëve. Deri tani, sipas tregtarëve, më të shiturat janë shashkat e vogla, të cilat krijojnë një shpërthim fals dhe që mund të blihen nga 10-100 lekë. Fishekzjarrët në çift, që kanë një numër më të madh hedhjesh se ata që tregtohen 200 lekë, janë ata që ndodhen në vendin e dytë. Këta fishekzjarrë për nga intensiteti i shkëlqimit dhe dritave kanë një çmim më të lartë se të zakonshmit, edhe pse janë një modë e vjetër, për shkak se kanë qenë në përdorim edhe vitin e kaluar dhe kushtojnë vetëm 700 lekë. Pjesa tjetër ngelet në preferencën e shqiptarëve dhe mundësitë për t‘i lejuar vetes një fishekzjarr të shtrenjtë.

Vendimi

Qeveria: Stop lodrave kineze

Ministria e Ekonomisë ka paralajmëruar mosblerjen dhe tregtimin e lodrave të dëmshme dhe ka urdhëruar doganat të bllokojnë zhdoganimin e mëtejshëm të këtij malli. E gjithë kjo ka shkaktuar panik te përdoruesit e vegjël të lodrave. Sipas një vendimi të Këshilli të Ministrave, këto lodra kanë mundësi të rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën e zotëruesve infantilë të tyre, ndërsa mund të bëhen dhurata fatale e prindërve bujarë. Për këtë, Ministria e Ekonomisë paralajmëron qytetarët për rrezikun e disa lodrave për fëmijët, që kanë nisur të shiten në tregjet shqiptare me rastin e festave të fundvitit. Ministria njofton se një kategori lodrash të kompanisë "Fisher Price" paraqesin rrezikshmëri për përmbajtjen e plumbit mbi nivelet e lejuara. Sipas njoftimit zyrtar, kjo shoqëri ka kërkuar tërheqjen e këtyre lodrave. Nga ana tjetër, në kuadër të sistemit për këmbimin e shpejtë të informacioneve për produktet e rrezikshme të vendosura në tregun e brendshëm të BE-së, Ministria e Ekonomisë informon për një kategori tjetër lodrash të rrezikshme. Bëhet fjalë edhe për lodra të tjera që vijnë kryesisht nga Kina, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë ndaj asfiksimit ose helmimit, shokut elektrik, dëmtimeve të ndryshme fizike, apo bakteriologjike, të provuara nga testimet e laboratorëve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›