Topi shkon papritur në Irak, dekoron komandot
Presidenti Bamir Topi është takuar dje në Irak me 120 komandot që kryejnë misionin e tyre me profesionalizëm në Mosul dhe në prag festash ai u dhuron atyre një komunikim LIVE me familjarët e tyre në Shqipëri. Kreu i shtetit ka zhvilluar dje paradite një komunikim telefonik nga baza e trupave aleate në Mosul me familjarë të komandove shqiptare, të mbledhur në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, duke u përcjellë krenarinë që ndjejnë të gjithë shqiptarët për 120 komandot që shërbejnë në këtë mision paqeruajtës. Presidenti Topi është fokusuar më tepër në sukseset e këtij misioni që përfaqëson Shqipërinë në vendosjen e stabilitetit në këtë zonë delikate. "Kemi marrë vlerësime të jashtëzakonshme për këtë kontingjent dhe vlerësimi i parë vjen në planin moral. Forcat tona komando kanë demonstruar një moral të lartë, gjatë gjithë kohës së shërbimit këtu Mosul, por kanë demonstruar gjithashtu edhe parametra të lartë profesionalë dhe çdo ditë po i rrisin këto parametra. Ato janë në një shërbim aktiv dhe me kalimin e ditëve marrin dhe detyra të reja operacionale", tha Topi. Numri një i shtetit ka zgjedhur pikërisht pragun e festave për të vizituar këtë zonë delikate, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e Presidentit të Francës dhe Kryeministrit të Italisë, të cilët në një ditë me të kanë zhvilluar vizitë në Afganistan. "Ne kemi hyrë në komunikim me të gjithë përfaqësuesit e kontingjentit për të parë cilat janë hallet e tyre. Sigurisht që jemi shumë të interesuar për ta edhe në planin njerëzor, sepse ata kanë ardhur këtu në shërbim të atdheut, por edhe në shërbim të familjeve të tyre, duke i ndjerë familjet sa larg, edhe afër. Sa larg, pasi gjeografikisht jemi larg, por afër shpirtërisht, sepse komunikimi me strukturat, si dhe komunikimi nëpërmjet teknologjisë që është vënë në shërbim të tyre dhe sidomos kujdesi për familjarët është i tillë që edhe ata të ndjehen të qetë këtu", tha ai. Presidenti Topi ka vlerësuar në mënyrë zyrtare Kontingjentin e 10-të, duke e dekoruar me "Medaljen e Artë të Shqiponjës". "Besoj që kjo nuk është medalja e parë dhe e fundit, sepse operacioni do të vazhdojë, misioni do të vazhdojë dhe jam i bindur që suksese të tjera ky kontingjent do të ketë në të ardhme, duke u dhënë vlera të reja Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve shqiptare", tha ai.
Aspirata kryesore e Shqipërisë për vitin 2008 është përfshirja në NATO dhe Presidenti Topi e ka deklaruar hapur se kontributi i ushtarëve shqiptarë në Irak do të ndihmojë Shqipërinë për rrugën e saj drejt NATO-s. "Duke shpresuar se aspirata që ne kemi për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, në prillin e vitit 2008, në Samitin e Bukureshtit, do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për të gjithë, besoj se një vlerë po aq të madhe, po aq të jashtëzakonshme ka dhe kontributi i të gjithë ushtarakëve tanë që janë në misione jo vetëm në Mosul të Irakut, por edhe në Afganistan, në Bosnjë-Hercegovinë e kështu me radhë", vijoi Topi. Presidenti u ka përcjellë përshëndetjet më të mira familjarëve, duke i siguruar dhe i garantuar që fëmijët dhe të afërmit e tyre ushtarë në Irak janë shumë mirë me shëndet dhe i kanë përfaqësuar mjaft denjësisht. "Duhet të krenohemi me forcat tona në Irak", u shpreh Presidenti. Në emër të Shtabit të Përgjithshëm, zëvendësshefi i shtabit, gjeneral brigade Agim Lala, ka përshëndetur Presidentin Topi për vizitën dhe u ka dhënë fjalën familjarëve të mbledhur, prindër, bashkëshorte e fëmijë, të cilët kanë mundur të komunikojnë me të afërmit e tyre që shërbejnë në Mosul. Drejtuesi i misionit shqiptar në Mosul, major Behar Mara, në përshëndetjen e tij u ka shprehur angazhimin komandove shqiptare për të shërbyer në emër të atdheut, përkrah trupave aleate në misionin paqeruajtës "Liria e Irakut". Familjarët e komandove shqiptare kanë komunikuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha.
"Medalja e Artë e Shqiponjës" për trupat në Irak
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kreu dje një vizitë në Irak në kuadër të festave të fundvitit. Kreu i shtetit pati takime me Kontingjentin e 10-të të forcave komando që shërbejnë në Mosul të Irakut, në kuadër të misionit paqeruajtës "Liria e Irakut". Gjatë një takimi të ngrohtë e të përzemërt me oficerë, nënoficerë dhe ushtarë shqiptarë të këtij misioni, kryetari i shtetit dekoroi në një ceremoni të veçantë Kontingjentin e 10-të shqiptar me "Medaljen e Artë të Shqiponjës", me motivacionin "Për trimërinë, kurajën e profesionalizmin e lartë të treguar në operacionin Liria e Irakut, duke nderuar kombin shqiptar". Pas takimit me komandot shqiptare në Mosul, Presidenti zhvilloi në Bagdad një takim me Kryeministrin e Irakut, Nuri al-Maliki. Topi në takime u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Lejtnant, Luan Hoxha. Nga pala tjetër, Topi u prit nga komandanti i Përgjithshëm i Forcave Shumëkombëshe në Irak, Gjeneral Deivid H. Petraeus. Trupat shqiptare në Irak kanë për mision përgatitjen dhe zhvillimin e operacioneve stabilizuese e të sigurisë në mbështetje të koalicionit "Liria e Irakut". Në përbërje të kontingjentit janë 9 oficerë, 17 kapterë, 3 ushtarë profesionistë, 42 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm. Fillimisht kompania iu atashua Batalionit I të Brigadës së 2-të, Divizioni 101 Airborne (i transportueshëm nga ajri), pastaj në vartësi të DREAR (Vendkomanda e Logjistikës e Divizionit). Ky është misioni më i mbështetur në të gjitha llojet e pajisjeve. Pikërisht ishte kjo mbështetje që krijoi identitetin e forcave tona dhe që në të gjithë qytetin njihen si shqiptarë. Në listën e detyrave që ka ky kontingjent paraqitet shoqërimi, pika e kontrollit, patrullimi në qytet, kontrolli i objekteve, ruajtja e qetësisë dhe e rendit publik, detyra siguruese dhe patrullimi brenda dhe jashtë perimetrit të bazës. Bashkëpunimi me ushtrinë e re irakiane ka konsistuar në vendosjen e lidhjeve miqësore me ushtarakët e rekrutuar rishtas, me qëllim lehtësimin e punës për koordinimin e veprimeve të përbashkëta në të ardhme.
Takimi
Pas takimit me komandot shqiptare në Mosul, Presidenti zhvilloi në Bagdad një takim me Kryeministrin e Irakut, Nuri al-Maliki. Topi në takime u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha
Historiku
Misionet e trupave paqeruajtëse
Shqipëria ka një historik të angazhimit ushtarak në tri vende me trupa paqeruajtëse. Misioni i parë ishte ai në Bosnjë-Hercegovinë, ku u dërgua në vitin 1996 një kontingjent prej 33 trupash. Nga viti 2000 e deri këtë vit kemi nisur një personel prej 70 oficerësh, n/oficerë dhe ushtarë. Ata ishin të inkuadruar në forcën e aplikimit të paqes "Peace Implementation Force" (IFOR). Misioni i dytë është ai në Afganistan, ku Shqipëria përfaqësohet nga një numër prej 30 trupash në fillim dhe që më pas u reduktua në 23. Gjatë misionit në Afganistan kontingjenti paqeruajtës shqiptar ka kryer detyra në përbërje të Forcave Ndërkombëtare për Siguri dhe Ndihmë (ISAF). Vendi i tretë ku përfaqësohemi me trupa paqeruajtëse është Iraku. Shqipëria është angazhuar në përgatitjen dhe zhvillimin e operacioneve stabilizuese dhe të sigurimit në mbështetje të koalicionit "Liria e Irakut" dhe ka në përbërje 9 oficerë, 17 kapterë, 3 ushtarë profesionistë, 42 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm.
Siguria
Komandot ruajtën Xhon Kerrin
Gjatë qëndrimit në krye të detyrës në Irak, kontingjenti shqiptar është bërë në më shumë se një herë protagonist për ruajtjen e sigurisë. Komandot shqiptare, që veprojnë në qytetin e Mosulit, kanë garantuar sigurinë e Xhon Kerrit, ish-rivalit të Xhorxh W. Bush për Shtëpinë e Bardhë, gjatë vizitës së tij në veri të Irakut. Gjatë udhëtimit të tij në qytetin e Mosulit, trupat shqiptare janë ngarkuar me detyra sigurie, si ruajtja e pistës së uljes së avionëve dhe e sallës së konferencës. Në përfundim të vizitës së tij në Mosul, Xhon Kerri pati një takim të shkurtër edhe me komandantin dhe oficerin koordinator të kontingjentit shqiptar, major Adrian Bali dhe Hysni Gjergji. Kerri përshëndeti pjesëmarrjen e trupave shqiptare në koalicionin "Liria e Irakut" dhe vlerësoi maksimalisht punën e bërë dhe profesionalizmin e treguar prej tyre në Mosul.