Fluks pa probleme në Vlorë
Dje është regjistruar fluksi më i madh i hyrjes së emigrantëve nga Porti i Vlorës. Nga burimet zyrtare të policisë kufitare mësohet se nga pika e kalimit kufitar të portit janë futur 3000 emigrantë, 30 shtetas të huaj, si dhe 738 automjete të ndryshme. Edhe pse ka pasur një fluks të madh të futjes së emigrantëve në këtë port, nuk ka pasur asnjë problem dhe asnjë vonesë, përveç vonesave normale për të vulosur dokumentet personale dhe të mjeteve. Për të mos pasur vonesa, Drejtoria e Portit ka marrë masa konkrete për mbarëvajtjen e punës në përpunimin e pasagjerëve dhe të mjeteve dhe për këtë qëllim janë hapur 8 sportele për përpunimin e dokumenteve të emigrantëve, 2 për shtetas të huaj dhe 4 sportele për kontrollin e dokumenteve të personave që udhëtojnë me automjete. Për të pasur një qarkullim sa më të mirë të mjeteve janë hapur dy porta, njëra për të kaluar pasagjerët dhe një tjetër për të kaluar mjetet. Sipas drejtorit të policisë së portit, Myzafer Elezi, janë marrë masa në të gjitha drejtimet për të mos pasur asnjë problem në zbritjen dhe hipjen në tragete të emigrantëve.