E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një aksident i rëndë bëhet shkak për vonesat e emigrantëve

Ndryshe nga herët e tjera, kur për radhët në kufi fajësohej pala greke, policia shqiptare është munduar të justifikojë këto ditë homologët e përtej kufirit. Krerët e postave të policisë në Kakavijë dhe Kapshticë kanë theksuar dje se fluksi i emigrantëve ka qenë mjaft i madh për t‘u përballuar normalisht nga pala greke, e cila përveç regjistrimit normal, duhet të bëjë edhe verifikimet e lejeve të qëndrimit të shtetasve shqiptarë. Ka pasur gjithashtu edhe ngjarje të pazakonta që kanë shkaktuar vonesa. Megjithatë, zyrtarët e policisë shqiptare tregojnë edhe për vonesa të panevojshme, që janë shkaktuar sidomos gjatë fundjavës, sepse pala greke ka pakësuar personelin për shkak të pushimit zyrtar.

Kapshtica

Situata e rëndë në pikën kufitare të Kapshticës është krijuar jo vetëm për shkak të fluksit të madh të shtetasve që kthehen nga kjo pikë, që u ka kaluar 8 mijë persona, por edhe për faktin se jo shumë larg nga fillimi i radhëve në fshatin më të afërt grek një aksident i ka marrë jetën një fëmije. Kjo ka bërë që nga ana e policisë greke të bllokohet rruga, ndërsa duket se dyshimet kanë rënë mbi emigrantët që vinin me shpejtësi me makina drejt doganës. Nga ana e palës greke në kufi, sipas të dhënave zyrtare, mësohet se është punuar me tre sportele. Edhe pse nga ana e policisë nuk janë vonuar në procedurat e regjistrimit dhe vulosjes së dokumenteve, emigrantët i janë nënshtruar një procedure të imët kontrolli ndaj të gjitha mjeteve. Kjo ka bërë që të gjitha ata që kanë vendosur të vijnë në vend me makinat e tyre të vonohen nga kontrollet që ka ushtruar dogana edhe pse me vula dhe dokumente të kaluara në sistem. Nga ana tjetër, një dyndje të madhe mjetesh ka pasur edhe në tokën shqiptare, por nuk ka pasur vonesa dhe radhë.

Kakavija

Komandanti i policisë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, nëninspektor Ziadin Allaraj thotë se "Përpunimi i dokumentacionit identifikues dhe dokumentimi i shtetasve që hyjnë nga Greqia në regjistrat tanë është kryer në një kohë rekord, por sikundër është e natyrshme, problemet dhe vonesat kanë qenë prezente të shtunën në territorin grek të doganës, ku radha e automjeteve kishte arritur në një gjatësi rreth 5 kilometra, deri në afërsi të fshatit grek, Ktizmata". Allaraj thotë se intensiteti i lëvizjes ka qenë i lartë gjatë gjithë ditës, ku krahas 12 mijë shtetasve kanë kaluar kufirin edhe 2000 autovetura dhe rreth 200 autobusë të shoqërive shqiptare dhe greke të transportit të udhëtarëve. Në pjesë e autobusëve i ka transportuar emigrantët deri në Kakavijë, por pjesa më e madhe, rreth 160 autobusë, kanë kaluar kufirin deri në qytete ne brendësi të vendit.

Durrësi

Probleme kanë pasur gjatë fundjavës edhe shqiptarët me banim të përkohshëm në Itali, të cilët kthehen në vendlindje për festa. Emigrantët, të lodhur nga orët e gjata të qëndrimit në tragete shprehen të pakënaqur për menaxhimin e situatës nga autoritetet portuale të Barit, ndërsa tragetet që lidhin Durrësin me këtë qytet italian kanë mbërritur në kalata me 3-4 orë vonesë. Fillimi i kësaj fundjave ka sjellë në Durrës mbi 13 mijë pasagjerë dhe qindra automjete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›