PD hedh sytë nga minoriteti grek
Përfaqësues të intelektualëve të minoritetit grek në zonën e Livadhjasë dhe banorë të thjeshtë të saj janë mbledhur dhe kanë diskutuar pas mesditës së të shtunës për një qëndrim të ri ndaj politikës, lidhur ngushtë me përballimin e problematikës që shqetëson popullsinë e 36 fshatrave që banohen në shumicë nga popullsi me përkatësi etnike greke. Takimi dhe diskutimi me temë "E ardhmja e minoritetit në Partinë Demokratike dhe kontributet reale në demokratizimin e jetës së vendit", u iniciua nga Grigor Pasko, ish-kandidat i PD për deputet në zonën Nr. 100, që përfshin edhe këto fshatra. Të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Dhivrit, Sokrat Kalcuni; ish-kryetari i Komunës së Livadhjasë, Kristo Gjika, doktor i shkencave bujqësore, ish-kryetari i Komunës së Alikos, Kristo Kaishi; kryetari i forumit rinor të degës së PD të Sarandës, Sokol Muço; juristi Valter Lapa etj. Grigor Pasko fjalën e vet e ka nisur duke ftuar për të bërë homazh për 4 djemtë nga Alikua, të ekzekutuar në kufi në dhjetorin e vitit 1990 nga strukturat e diktaturës komuniste në ditët e fundit të saj dhe të shpallur martirë të demokracisë nga ish-presidenti Berisha. Pasko argumentoi se e mira e minoritetit është duke u afruar në Partinë Demokratike, pasi kjo është forca që në platformën dhe në praktikën e saj ka treguar se është në mbrojtje dhe në përmbushje të interesave të tij. "Kam mbështetjen e kryetarit të partisë dhe Kryeministrit Berisha për këtë dialog që ndërmarr me ju", u ka thënë Pasko në gjuhën amtare të pranishmëve në takimin e Livadhjasë. Pas kësaj ai ka renditur një varg arsyesh pse jo vetëm demokratët, por edhe pjesa tjetër e minoritetit grek duhet të afrohet dhe të shohë te PD realizuesen e aspiratave të tyre dhe të të drejtave reale të pakicës kombëtare. "Ishte Berisha që erdhi dy vjet më parë këtu dhe ju premtoi dyshtetësinë, që e bëri realitet", ka theksuar Pasko, duke i shtuar kësaj një përkujdesje konstante të PD dhe kryetarit të saj Berisha, hapësira që duke qenë edhe Kryeministër i vendit, kanë ardhur duke u zgjeruar dhe konkretizuar. Pyetjes se pse e ardhmja më e mirë e minoritetit grek është në Partinë Demokratike, i kanë dhënë përgjigje të argumentuar edhe mjaft diskutantë që e kanë marrë fjalën në takim. Ata janë shprehur të sigurt se minoriteti grek në jug të vendit nuk mund ta shohë veten të përparojë dhe të përmbushë të drejtat e veta duke qenë në parti të tjera. Sokol Muço, kryetar i forumit rinor të PD, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e plotë që ka gjetur PD në minoritet.