E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekë në kufi, për emergjencat

Emigrantëve do t‘u ofrohet asistencë mjekësore në kufi. Këtë e ka vendosur Ministria e Shëndetësisë. Përmes një njoftimi zyrtar, ajo bëri të ditur dje se "këto masa merren për të evituar çdo problem dhe shqetësim shëndetësor që mund të krijohet për qytetarët shqiptarë gjatë kalimit dhe qëndrimit në pikat e kalimit kufitar". Kështu, në bazë të urdhrit të firmosur nga ministri Nard Ndoka, të gjitha drejtoritë e shëndetit publik dhe spitalet rajonale në rrethet ku ndodhen pika të kalimit kufitar, do të ofrojnë asistencë të vazhdueshme mjekësore për çdo qytetar shqiptar që vjen për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri. Ekipet mjekësore janë vënë në dispozicion të emigrantëve që nga dita e djeshme 23 dhjetor dhe do të jenë prezente në pikat e kalimit kufitar deri më 10 janar, kohë kur emigrantët largohen. Këto ekipe do të instalohen pranë pikave të kalimit kufitar dhe do të jenë në formën e ndihmës së shpejtë. Në zbatim të këtij urdhri, drejtoritë rajonale të shëndetit publik dhe spitalet e këtyre rretheve do të krijojnë grupe të emergjencës mjekësore, të pajisura me mjekë, autoambulanca dhe pajisje mjekësore të ndihmës së shpejtë. Mësohet se ato do të jenë në shërbim të plotë të nevojave që paraqesin qytetarët shqiptarë që duan të kalojnë pushimet e fundvitit në Shqipëri. Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Zhaneta Tomçini, tha dje se kjo praktikë ndiqet për herë të parë dhe synon të evitojë në maksimum rastet e viteve të kaluara, kur gjatë kësaj periudhe dhe lëvizjeve të mëdha të qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare, janë shfaqur raste sëmundjesh dhe problemesh serioze për shëndetin e një pjese prej tyre. Ministria e Shëndetësisë siguron të gjithë qytetarët shqiptarë me banim në Shqipëri apo me banim të përkohshëm në vendet e tjera, se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t‘u ardhur në ndihmë dhe për t‘i asistuar ata për të gjitha kërkesat dhe nevojat e tyre shëndetësore. Kështu, bluzat e bardha të organizuara në ekipe do të jenë në dispozicion të qytetarëve gjatë gjithë ditëve të festave të fundvitit.

Ndërkohë, masa të posaçme për pritjen pa probleme të emigrantëve ka marrë edhe policia e qarkullimit rrugor, jo vetëm në rrethet kufitare, por edhe në brendësi të vendit. Kështu, policia e qarkullimit rrugor në Elbasan ka ndryshuar rregullat, duke mos lejuar brenda qendrës së qytetit autobusët dhe furgonat e pasagjerëve. Stacionimi i tyre është përqendruar në jug të qytetit, te vendi i quajtur Ura e Shkumbinit, në Perëndim, te sheshi i Zaranikës dhe në Lindje, pranë varrezave të Dëshmorëve. Këto masa, sipas kreut të rrugorëve të Elbasanit, Blerim Laçi, janë marrë për të mos krijuar konfuzion në trafik dhe do të qëndrojnë në fuqi edhe disa ditë pas festës së Vitit të Ri. Për sa u përket orëve të mbrëmjes, qarkullimi është me i qetë dhe ato që bien në sy janë kontrollet në të tria hyrjet e daljet të qytetit që janë ngritur nga ana e Komisariatit të Elbasanit për të kontrolluar çdo automjet apo person që udhëton në këto orë. Edhe pse fluksi i emigrantëve të ardhur nga shtetet fqinje është shtuar, fatmirësisht, nuk është regjistruar asnjë aksident çka tregon efektivitetin e masave të rrugorëve. Sipas shefit të ri të Komisariatit të Policisë Elbasan, Gjelosh Prendi, deri në ditët e para të vitit 2008, kontrollet dhe masat do të vijnë duke u shtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›