Fluksi i menjëhershëm krijon radhë të gjata në Kapshticë
Territori doganor grek në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është mbingarkuar nga emigrantë dhe mjete të shumta. Radhët kanë shkuar në 5 kilometra matanë kufirit ndërsa sipas emigrantëve që janë kthyer me rastin e festave të fundvitit, atyre u është dashur të presin për të paktën 6 orë në kufi. Sipas komandantit të pikës kufitare të Kapshticës, Dritan Shema, puna është vështirësuar më tepër nga ana e palës greke, që nuk ka lëshuar në kohë, por ka vonuar emigrantët. Të paktën 40 mjete kanë kaluar nëpër sportelet shqiptare me radhë, për të shmangur vonesat pas pritjes së gjatë në territorin doganor grek. Komandanti i pikës kufitare thotë se kanë hyrë në 24 orë të paktën 8300 persona, që tregon për një dyndje të madhe të shtetasve në kufi. Lëvizjet ndërkufitare janë shtuar edhe në dalje ku kanë ikur drejt shtetit grek të paktën 1700 persona. Por Shema thotë se fluksi në hyrje vazhdon me të njëjtat ritme si një ditë më parë. "Ka një dyndje të madhe të emigrantëve në kufi. Shifrat tregojnë se në dy ditët e fundit kanë hyrë 20 mijë persona. Të gjithë shtetasit në palën tonë kanë mundur të kalojnë në kohë nëpër sportele dhe janë shmangur në maksimum vonesat edhe për shkak të pritjes së emigrantëve në tokën greke. Nga ana jonë punohet me gjashtë sportele, ndërsa nga pala greke është punuar gjatë ditës së diel me dy të tilla. Ka pasur edhe momente të ndalimit të punës dhe jemi detyruar të kontaktojmë me palën greke disa herë për të përshpejtuar punën me shtetasit në radhë. Ka radhë kilometrike, por kjo është krijuar në tokën greke për shkak të fluksit të menjëhershëm. Radhët kanë qenë deri në afërsi të fshatit të parë dhe kjo pasi me afrimin e festave të gjithë emigrantët për shkak të punës vijnë në të njëjtën kohë", ka thënë Dritan Shema. Emigrantët kanë qenë të irrituar për shkak se kanë pritur gjatë në tokën greke. Ata kanë thënë se pala greke punon ngadalë edhe pse është e vetëdijshme për radhët e gjata në kufi. Për më tepër, shtimi i kontrolleve nga ana e doganës ka bërë që emigrantët të presin gjatë kur për çdo mjet ka pasur një vonesë prej më shumë se 30 minuta në procedura.
Për shkak të problemeve të shfaqura në pikat kryesore, që janë Kakavija dhe Kapshtica, shumë emigrantë kanë preferuar të kalojnë për në Shqipëri nëpërmjet pikave të vogla të kalimit të kufirit dhe porteve jugore. Kështu, një lëvizje e pazakontë është shënuar dje në pikën e kalimit kufitar të Tri Urave në Përmet, nga ku në 24 orë kanë hyrë në Shqipëri 1155 shtetas dhe 344 mjete.
Rritje të menjëhershme ka pësuar shifra e udhëtarëve të hyrë në Shqipëri edhe përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë-Botës në Sarandë. Referuar të dhënave të regjistruara nga shërbimi doganor atje, vihet re se nga 60-70 vetë që ishte numri i udhëtarëve që merrnin vulë hyrjeje nga Qafë-Bota për në Shqipëri, vetëm dje shkoi në 1000 veta. Ndërkohë, komandanti i policisë së kësaj pike doganore konfirmon se kanë kaluar nga kjo pikëkalimi 250 automjete private.