E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika nga virusi, autoritetet nisin dezinfektimet në Delvinë

Pranë vatrës së zjarrit, me prush të ndezur, në atë shtëpinë e re në lagjen tradicionale "Lejla Malo", në qytetin e Delvinës, kanë disa ditë që flasin me vete për atë që iu shfaq mbesës së tyre 3 vjeçe. Meraku për shëndetin e prishur papritur dhe se si do t‘i vejë filli me sëmundjen e meningjitit, që shpërtheu si papritur nga trupi i Eleanës 3-vjeçare, i ka lënë si pa mend në atë pleqëri të thellë. Palaka Hano, që i ka kapërcyer të 75-at, çdo trokitje në derë e merr si një haber të ri, që pret t‘i vijë nga Gjirokastra, ku deri dje kanë qenë "izoluar" tre vetë nga shtëpia: djali, nusja dhe mbesa, me atë sëmundjen që ngjit. Plaku dhe plaka e shtëpisë gjithë vëmendjen e kanë nga porta e jashtme, ose nga telefoni fiks, që e kanë marrë atje pranë zjarrit dhe që u bie të rejat e shpresës. "Ja, thotë nënë Hanua, nuk ka një orë që na thanë se vajzën e ngritën për në Tiranë, në doktorë e ilaçe më të mira. Ishallah të na bëhet mirë vajza, e të na vijë ndonjë haber i mirë". E pyesim të na tregojë se si ua gjeti e keqja derën. Dhe ajo thotë se vajza ishte mirë e bukur, vente e vinte në kopsht si përditë. Kishte pak rrufë një ditë përpara, por në darkë na u bë keq nga grykët. U bë prush në zjarr dhe nusja e djali vendosën ta çojnë në spital nëpër natë. Në spitalin e Delvinës gjetën doktoreshë Poliksenin, e cila nuk e pëlqeu gjendjen e vajzës. Mjekes pediatre, Polikseni Braho, i la përshtypje jo të mirë që vajza ankohej për dhimbje të forta koke, kishte të vjella dhe temperaturë që nuk zbriste. "Nuk e mbajta as 5 minuta vajzën këtu në spitalin e Delvinës, tregon ajo, por e nisa në mesnatë për në spitalin e Sarandës. Në Sarandë u thirr konsulta e pediatërve, që u bindën për shenja të një sëmundjeje që nuk mund të trajtohej në mungesë të repartit infektiv. Dhe në mëngjesin e dy ditëve më parë u vendos të nisej për në Gjirokastër. Por ditën e djeshme, mjekët e Gjirokastrës kanë vendosur nisjen e vajzës dhe prindërve të mbajtur në karantinë, drejt "Nënë Terezës" në Tiranë. "Sëmundja kishte ardhur papritur, si një rast tepër i rrallë", tregon mjeku Trim Birbili. Ai sqaron se nuk është në origjinë të saj kalimi ose gjendja gripale, por prania e mikrobit të meningokokut në organizmin e vajzës, që situata gripale ka qenë mikroklima që ka nxitur shpërthimin. Ndërkohë, rasti i parë i meningjitit i shfaqur në jug të vendit ka vënë në lëvizje strukturat e epidemiologjisë në të dy rrethet, në Sarandë e Delvinë. Shefi i shërbimit parësor, Aleks Prifti, në ekip, ka shkuar dje në familjen e vajzës në Delvinë, ku ka marrë material për antibiogramë nga gryka e dy pleqve të shtëpisë. Ndërkohë ai ka bërë dezinfektimin tregues me kloraminë të banesës së familjes Alinani, të banesave më të afërta me të dhe të kopshtit ku ishte vajza në lagjen "Lejla Malo". Atje nuk kishte mungesa në fëmijë dhe ndjenja e frikës nga prekja e fëmijëve të tjerë nuk ishte e pranishme, pasi izolimi i vajzës me mikrobin ngjitës i kishte qetësuar prindërit dhe fëmijët. "Po marrim të gjitha masat për ta lokalizuar maksimalisht veprimin e meningokokut dhe për të parandaluar përhapjen e tij në fëmijë apo njerëz të tjerë", u shpreh për "Shqip" mjeku epidemiolog, Aleks Prifti. Ai ka kontaktuar me titullarin e bashkisë, Dhurim Alinani, dhe me Shuaip Mehmetin, në zyrën arsimore, për të përcaktuar së bashku masat që duhen marrë. Mjeku specialist thotë se kanë hasur edhe raste të tjera të ngjashme, sidomos para viteve ‘90, dhe kjo situatë nuk i ka gjetur të papërgatitur e pa eksperiencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›