E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat fusin në sherr biznesin

Hyrja në fuqi e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për lehtësimin e vizave, në pjesën ku flitet për biznesin, ka hapur një debat për atë se kush do të jetë autoriteti që do të administrojë këtë proces, e thënë ndryshe organi që do të lëshojë autorizimet. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se marrëveshja ia njeh asaj këtë të drejtë. "Biznesmenët dhe përfaqësuesit e organizatave të biznesit, pas një kërkese me shkrim nga një person juridik, ose një shoqëri, ose organizatë pritëse në një vend të BE-së, është i detyrueshëm miratimi nga Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë", tha Uldedaj. Në këtë kuadër, ai ka sqaruar të gjithë bizneset se "Lëshimi i vizave për nevoja të biznesit kërkon detyrimisht anëtarësimin në Dhomën e Tregtisë së Tiranës". Kjo, sipas tij, vjen si detyrim i marrëveshjes, duke qenë se "ambasadat e vendeve të BE-së, të akredituara në Tiranë, marrin çdo ditë, nëpërmjet rrugës elektronike, informacionin e nevojshëm nga ana e Dhomës së Tiranës për të pajisur me viza anëtarët e kësaj Dhome. Çdo rrugë tjetër tashmë është e pavlefshme, gjithnjë në zbatim të marrëveshjes së mësipërme". Por kjo ka ngjallur reagimin e Konfindustrias, shoqatës që grupon bizneset prodhuese në vend. "Në këtë pikë, shteti i delegon vetes të drejtën për të dhënë vizat, pasi Dhoma e Tregtisë është institucion publik që organizohet me ligj nga shteti dhe që financohet nga shteti", tha Buxhuku. Por, edhe shoqata të tjera biznesi, të cilat nuk kanë dashur të identifikoheshin, kanë pasur kundërshtime për këtë pikë. Madje, shumë shpejt pritet që disa prej këtyre shoqatave të dalin me një qëndrim zyrtar për këtë çështje. Në fakt, sipas ligjit aktual, çdo biznes që operon në Shqipëri duhet të jetë anëtar i Dhomës së Tregtisë. Por, në të vërtetë kjo pikë nuk respektohet nga të gjitha bizneset. Sipas Dhomës së Tregtisë së Tiranës, aktualisht jashtë kësaj organizate janë më shumë se 35 deri në 40 për qind e bizneseve. Me këtë kompetencë që merr Dhoma synon të fusë nën ombrellën e saj të gjitha bizneset shqiptare. Marrëveshja për lehtësimin e vizave me Bashkimin Evropian ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti. Kjo marrëveshje lehtëson kriteret për marrjen e vizave për një sërë kategorish të caktuara si bizneset, mediat dhe studentët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›