E Diel, 1 Nëntor 2026

TEC-i i Fierit, dyshime nga Zvicra

Bllokimi i projektit për ndërtimin e parkut energjetik në qytetin e Fierit nga kompania zvicerane "Azienda Elettrica Ticinese" ka hapur një debat të madh politik në shtetin helvetik. Një grup deputetësh legistë të kantonit të Ticinos kanë kërkuar nga qeveria të zbardhë çështjen, duke aluduar për abuzime me projektin. Kompania "Azienda Elettrica Ticinese" (AET) është një shoqëri publike në pronësi të kantonit të Ticinos në Zvicër, që do të thotë se kjo shoqëri operon me fonde publike. Pikërisht kjo është edhe një nga arsyet se pse deputeti legist, Lorenzo Quadri, ka kërkuar zbardhjen e çështjes. AET pretendon se gjatë dy viteve operacioni "Shqipëria" i ka kushtuar 9 milionë franga zvicerane, ose e thënë ndryshe 5.5 milionë euro. Pavarësisht se nuk ka bërë asnjë punim fizik në terren, shoqëria pretendon se këto para janë shpenzuar deri në momentin e marrjes së lejes së koncesionit nga qeveria shqiptare. Por kjo ka ngritur dyshime te deputeti legist Lorenzo Quadri, i cili ka kërkuar zbardhjen e çështjes. "Sa e vërtetë është që AET ka shpenzuar 9 milionë franga? A konfirmohen këto shifra nga autoritetet, meqenëse kompania është një subjekt publik? Cili është afati i koncesionit? Çfarë do të ndodhë me këto para, nëse kompania humbet koncesionin për shkak të mosrealizimit të tij në kohë dhe qeveria shqiptare i heq asaj lejen?" Këto janë disa nga pikat ku deputeti legist i kantonit të Ticinos, Quadri, ka kërkuar nga qeveria të hedhë dritë.

Ngrirja

Një prej koncesioneve të propaganduara më fort nga qeveria Berisha, ai për ndërtimin e një parku energjetik në qytetin e Fierit, për momentin është pezulluar. Mediat zvicerane raportojnë se kompania "Azienda Elettrica Ticinese", që zotëron 50 për qind të aksioneve në konsorciumin "ASG Power", ka ngrirë projektin e saj për ndërtimin e një stacioni rigazifikimi në qytetin e Fierit, për shkak se nuk ka arritur të gjejë partnerët financiarë që do të garantonin fondet e nevojshme për realizimin e projektit.

Koncesioni

"ASG Power SA" është një kompani e ndërtuar posaçërisht për projektin e madh të Fierit. Ajo zotërohet nga AET, një kompani publike zvicerane e specializuar në fushën e energjisë, si dhe investitorë të tjerë evropianë e amerikanë. AET pagoi 1.2 milionë franga zvicerane, ose e konvertuar rreth 735 mijë euro për blerjen e 50 për qind të aksioneve të "ASG Power". Kompania pritet të japë edhe 2.7 milionë euro të tjera për aksionerët fillestarë të "ASG Power", në mënyrë që të përfundojë blerjen. Sipas bilancit zyrtar të shoqërisë për vitin 2006, del se AET ka investuar në Shqipëri 80 mijë euro për blerje të ndryshme dhe 3 milionë euro të tjera për shpenzime, të cilat nuk jepen me hollësi. Në faqen zyrtare të kompanisë mësohet se afati i koncesionit dhënë nga qeveria shqiptare është dy vjet dhe përfundon në vitin 2009. Nëse shoqëria nuk do të ketë filluar punimet, atëherë autoritetet shqiptare kanë të drejtën të heqin lejen e koncesionit, gjë që do të thoshte se jo vetëm 9 milionë frangat e paguara do të shkonin dëm, por më keq akoma edhe vetë konsorciumi "ASG Power", që u krijua enkas për projektin e Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›