E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Abuzimet me SMS-të do të verifikohen

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit i ka kërkuar dy kompanive të telefonisë celulare AMC dhe Vodafone të sqarojnë anomalitë e vërejtura me dërgimin e mesazheve në natën e ndërrimit të viteve. Përmes një shkrese zyrtare, MPPTT kërkon nga AMC-ja dhe Vodafone të japin versionin e tyre mbi ankesat e shumta të mbërritura nga abonentët në lidhje me këtë çështje. "Kjo kërkesë vjen si pasojë e ankesave të bëra nga abonentët e Albanian Mobile Communications dhe Vodafone Albania, pasi mesazhet (SMS) e dërguara prej tyre janë ridërguar disa herë në të njëjtin numër, duke u shoqëruar kjo edhe me pagesën e disahershme të tyre", thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve. Lidhur me këtë problem, MPPTT-ja u kërkon dy kompanive të telefonisë mobile AMC dhe Vodafone të verifikojnë të gjitha rastet e evidentuara si të zhdëmtojnë abonentët me kartë të parapaguar dhe mosfaturimin e SMS-ve të përsëritura abonentëve me kontratë.

Shqetësimi

Fillimisht shqetësimin për këtë fakt e ngriti Forumi Rinor i Partisë Demokristiane. Gjatë një konference për shtyp, nënkryetarja e Forumit Rinor të PDK-së akuzoi kompanitë celulare për abuzime me mesazhet e urimit për festat e fundvitit, duke kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme nisjen e hetimeve ndaj tyre. Ynna Gayduchuk tërhoqi vëmendjen për atë që ajo e cilësoi "skandal të dy kompanive më të mëdha të celularëve, të cilat kanë abuzuar me SMS-të e shkëmbyera mes qytetarëve me rastin e festave". "Jemi dëshmitarë që një mesazh urimi është shumëfishuar deri në gjashtë herë, ndonëse ai është dërguar vetëm një herë nga qytetarët dhe kjo është bërë vetëm për qëllime fitimi", tha znj. Gayduchuk. Sipas saj, PDK-ja gjykon se ky është një abuzim i hapur dhe i paprecedentë i kompanive celulare, ndaj të cilave prokuroria duhet të hapë menjëherë hetimet, për të nxjerrë përpara drejtësisë të gjithë personat që kanë abuzuar me abonentët e tyre. "Në rast se drejtësia nuk do të veprojë, atëherë PDK-ja do të kërkojë hetim parlamentar për këtë çështje", shtoi nënkryetarja e Forumit Rinor Demokristian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›