E Diel, 1 Nëntor 2026

S‘ka shkollë riedukimi, lirohet fëmija vrasës

Fëmija 13-vjeçar, që vrau një grua në muajin nëntor të vitit të shkuar, do të jetë shumë shpejt i lirë. Fëmija do të duhet të dalë nga dhoma e izolimit pranë spitalit të Beratit, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit në Vlorë. Dy javë pas ngjarjes së bujshme dhe të paprecedentë, kur R.H. vrau Engjëllushe Sinjarin dhe pranoi krimin, organet e drejtësisë së qytetit të Beratit u gjetën në vështirësi për ndjekjen e kësaj çështjeje. Mosha e fëmijës e linte atë larg çdo procedimi penal. Në të tilla kushte, Prokuroria e Rrethit të Beratit vendosi ta përcjellë çështjen pranë Prokurorisë së Rrethit të Vlorës. Pranë kësaj prokurorie, me një urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, funksiononte një seksion i veçantë për hetimin e krimeve të kryera nga fëmijët. Plot dy javë pas kësaj ngjarjeje, ky seksion i veçantë me specialistë mori në shqyrtim rastin e 13-vjeçarit. Pas hetimeve të para, seksioni i veçantë për krimet për fëmijë vendosi ta përcjellë çështjen në gjykatë. Kështu, pas kërkesës së Prokurorisë së Vlorës, në seancën e datës 21 nëntor 2007, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka marrë vendimin e izolimit të fëmijës vrasës në një institucion riedukimi. Por, duke u nisur nga fakti që në Shqipëri nuk ekziston më asnjë institucion i tillë, Prokuroria e Vlorës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit Vlorë. Gjyqi i Apelit, i zhvilluar më 27 dhjetor 2007, pas kërkesës së Prokurorisë Vlorë për ndryshimin e vendimit të parë, nga ai i izolimi të djalit në një institucion riedukimi në atë mjekimit të detyrueshëm, sipas Nenit 46 të Kodit Penal e hodhi poshtë këtë kërkesë për ndryshimin e vendimit, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, atë të izolimit të djalit në një shkollë riedukimi. Avokati i fëmijës vrasës, Agron Mahmutaj, pohon se për shkak të mosekzistencës së një shkolle riedukimi dhe për arsye se djali nuk ka rezultuar nga asnjë raport mjekësor si i sëmurë psikik, pas disa ditësh ai do të mund të lërë dhomën e spitalit dhe do të jetë i lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›