Tenton të vrasë të dashurën dhe shokun e saj
TIRANË- Tenton të vrasë të dashurën dhe shokun e saj, përfundon në qeli 15-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur dy netë më parë në rrugën “Tasim Shehu” në Tiranë, kur i mituri me iniciale F.N. ka tentuar të vrasë me armë zjarri 14-vjeçaren A.B, dhe 24-vjeçarin Fadil Rushani. Për ngjarjen u njoftuan forcat e komisariatit të policisë nr.4, të cilat mbërritën menjëherë për të zbuluar motivet dhe autorin. Burime nga policia thanë se u bë e mundur kapja e menjëhershme e 15-vjeçarit, i cili me një armë zjarri, pushkë gjysmë automatike po kanoste për vdekje të miturën dhe 24-vjeçarin Rushani. Nga hetimet e para rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një sherripër motive të dobëta mes dyja palëve. Dyshohet se i mituri F.N, kishte lidhje intime me 14-vjeçaren. Por ditët e fundit ai e kishte parë të dashurën e tij nën shoqërinë e Rushanit duke dyshuar se ajo po e tradhtonte. Kështu pasi ka konstatuar sërish takimin midis vajzës dhe 24-vjeçarit dy netë më parë, 15-vjeçari ka marrë një pushkë gjysmë automatike dhe ka tentuar t’i vrasë të dy.Ndaj autorit u mor masa e arrestit për veprat penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”, “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “kanosjes”, ndërsa në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua arma e zjarrit si dhe 16 fishekë.