E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse jemi më të sigurt

Leonard Demi 

Në përfundim të vitit të tretë të qeverisjes së Partisë Demokratike, ne dhe vendi ynë jemi më të sigurt dhe më të begatë.
Treguesit kryesorë në fushën e ruajtjes së rendit e të sigurisë publike brenda vendit janë të pakrahasueshëm me disa vite më parë dhe rriten dukshëm edhe nga viti paraardhës. Ato venë në dukje siguri të plotë në të gjithë territorin e vendit, parandalimin e veprimtarisë kriminale, evidentimin e konflikteve, rritjen e standardeve të rendit, rritjen e besimit të komunitetit në strukturat e ruajtjes së rendit, etj. Po t’i referohemi shifrave konkrete, ato flasin për një luftë gjithmonë e më efikase kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, kundër korrupsionit, kundër terrorizmit, etj. Ato flasin për rritjen e standardeve të kontrollit kufitar, të shërbimit të policisë, rritjen e sigurisë në rrugë, forcimin e marrëdhënieve me institucionet e tjera të linjës brenda dhe jashtë vendit. Kësisoj, nga viti 2005-2008 janë goditur 323 organizata e grupe kriminale, nga të cilat 103 janë të trafikut të drogës dhe 79 të trafiqeve të tjera të paligjshme, 111 të krimit ekonomik e korrupsionit, si dhe 30 grupe e organizata kriminale, që u përkasin krimeve të rënda.
Trafiqet e paligjshme të 2008-ës përbëjnë një minimum historik, i cili nuk mund të krahasohet as me vitin 2007. Po t’i referohemi statistikave krahasuese 2005-shtator 2008 të policisë italiane, do të vëmë re se trafiku i heroinës, nga vendi ynë për në Itali, ka rënë nga 379.568 kg në 10.003 kg; për marihuanën: nga 808.322 kg në 4 kg; për hashashin në 0 kg etj., nëse në vitin 2005 janë trafikuar 81 gra, sivjet 19.
Në gjashtëmujorin që kaluam, duke bashkëpunuar me FBI, policinë italiane, Interpolin dhe Europolin, kapëm 714 të shumëkërkuar, ose 115 më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Deri në shtator të këtij viti janë zbuluar 1993 vepra penale më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Po të krahasojmë zbulueshmërinë e krimeve kundër personit nga viti 2005 deri në shtator të vitit 2008, ajo është respektivisht: 90%, 96.2%, 97.5% dhe 95%. Po t’i referohemi statistikave të luftës kundër krimit të organizuar apo krimeve të rënda, këtë nëntëmujor janë goditur 13 grupe të mirëstrukturuara që kanë vepruar për një kohë mjaft të gjatë. Gjithashtu, kanë filluar procedimet për 215 ngjarje të vjetra (vrasje, vjedhje me armë, vjedhje me pasojë vdekjen).
Këtë vit janë zbuluar 124 ngjarje të vjetra, në vitin 2005: 218 (31 kundër personit), në 2006: 323 (58 kundër personit), në 2007: 238 (45 kundër personit). Vrasjet e këtij viti në raport me 2005-ën janë ulur nga 131 në 66, po kështu kemi 534 raste vjedhjesh më pak dhe treguesit e veprave penale që mund të karakterizohen si akte terroriste kanë rënë nga 16 në 9.
Organet e specializuara, tre vjetët e fundit, kanë zbuluar 96% të krimeve ekonomiko-financiare, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Konkretisht, janë goditur 121 grupe kriminale, 28 syresh i përkasin vitit 2008. Nga këto, 232 vepra penale i përkasin korrupsionit. Një pjesë e tyre janë kryer nga punonjës të administratës publike, nga të cilët janë proceduar 419 vetë, që ushtrojnë ose kanë ushtruar funksione publike, 38 prej të cilëve janë arrestuar. Ata kanë punuar në zyrat e targave e patentave, hipotekave, kthimit të pronave, pushtetit lokal, funksionarë të dikastereve qendrore, punonjës në shëndetësi, arsim etj.
Në raport me vitin e kaluar është ulur numri i viktimave të qarkullimit rrugor dhe për periudhën në konsideratë ato janë 61 më pak se një vit më parë.
Shteti bën një kujdes të madh për të mbrojtur të miturit nga autorë të veprave penale. Statistika 2005-2008 shënon një pakësim të ndjeshëm të këtyre rasteve: nga 316 në 79 dhe numri i të miturve që kryejnë krime është zvogëluar rreth 2.3 herë.
Një tregues domethënës i rritjes së sigurisë në vend është numri i lartë i turistëve që kanë vizituar vendin tonë këtë vit: dy milionë e dyqind mijë vetë. Në verën që sapo lamë pas, Shqipëria ka qenë një nga katër vendet më të preferuar në Mesdhe. Këto arritje janë të vlerësuar nga BE-ja dhe janë garanci për liberalizimin e vizave me vendet e komunitetit evropian.
Siguria brenda vendit reflektohet drejtpërdrejt në ekonomi, e cila nuk mund të zhvillohet kurrsesi me sukses pa qetësi të brendshme.
Treguesit ekonomikë të Shqipërisë të vitit 2008 janë më të lartë se të të gjithë viteve të tranzicionit demokratik. Rritja ekonomike e tanishme është dyshifrore: 11%. Duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, vëmë re se liria fiskale në Shqipëri merr 96 pikë nga 100 të mundshmet; taksa e biznesit të vogël është ulur nga 3.1% në 1.5%; tatimi mbi të ardhurat personale nga 23% është ulur në 10%; tatimi mbi fitimin nga 25% është ulur në 10%; taksa doganore nga 5% është ulur në 1%; në periudhën 2006-2008 janë mbledhur 290 miliardë lekë më shumë se 2002-2004; po për këtë periudhë të ardhurat tatimore janë 71 miliardë lekë më shumë se 2002-2004, koha e regjistrimit të biznesit: nga 42 ditë ka arritur në 30 minuta; kosto e regjistrimit nga 35.000 lekë është ulur në 100 lekë; kreditimi ekonomik nga 11% në vitin 2005, sot është 35% etj. Por, treguesi ekonomik më rrokës që ka arritur Shqipëria deri sot është buxheti i vitit 2008, prej 4.2 miliardë dollarësh. Ai është 1.88 herë më i madh se buxheti i vitit 2005. Investimet publike të këtij viti janë më të mëdha se kurrë. Vetëm në infrastrukturë arrijnë në 1.2 miliardë dollarë, apo 96 miliardë lekë. Investimet e huaja direkte, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, u rritën rreth 36%. Zhvillimet pozitive në biznesin vendas kanë ulur papunësinë dhe kanë rritur të ardhurat familjare. Sot, Shqipëria ndan me familjen e vet euroatlantike po ato vlera mbi të cilat është themeluar Traktati i Uashingtonit dhe Bashkimi Evropian: një sistem demokratik, i cili u ka siguruar shtetasve të vet lirinë dhe një shtet ligjor funksional.
Pas procesit të ratifikimit të dokumentit të anëtarësimit në NATO, që besoj se do të jetë jo më vonë se pranvera 2009, shqiptarët dhe Shqipëria do të sigurojnë mbrojtjen kolektive të të gjithë anëtarëve të NATO-s. Kjo do të jetë siguria për të cilën kanë ëndërruar breza të panumërt shqiptarësh, për të cilët dielli lindte nga perëndimi.
Sot, ne jemi të ftuar në tavolinën e përbashkët të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku mund të këshillohemi me 26 vendet më të zhvilluara dhe demokratike të botës për çështje të sigurisë dhe të ndërmarrim veprime të përbashkëta për zgjidhjen e tyre. Me pjesëmarrjen në operacionet në mbështetje të paqes të drejtuara nga NATO, BE dhe koalicioni i vendeve demokratike, si: në Afganistan, Irak, Bosnjë dhe, së fundmi, në Çad, Shqipëria eksporton siguri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›