E Diel, 1 Nëntor 2026

"Galeritë e minierës janë bërë gojë ujku për ne"

Galeritë e minierës, janë bërë gojë ujku për ne minatorët, që mund të na gëlltisin nga çasti në çast, por jemi të detyruar të futemi në to, për të ushqyer fëmijët me bukë".

Këtë deklarim e ka bërë dje për gazetën "Shqip", kryetari i konfederatës sindikale të minierës së Bulqizës, Dilaver Përkoxha. "Askush nuk do t‘ia dijë për vdekjet tona në galeritë e thella të kësaj miniere. Mungesa totale e investimeve në këtë minierë, që nga privatizimi i saj në korrik të vitit 2001, bëri që kushtet e sigurisë në punë për minatorët të bien në nivelin zero. Duke parandier se jetët tona, gjithnjë e më tepër po viheshin në rrezik, në qershor të këtij viti nisëm edhe protestat, për plotësimin e kushteve të sigurisë, që të kursenim sadopak jetët tona. Janë gjithë këto aksidente me humbje jetësh për ne minatorët dhe asnjë person i vënë para përgjegjësisë për këto tragjedi në këtë minierë", vazhdon të akuzojë Përkoxha.

"Kështu, - vazhdon më tej ai, - më 11 qershor, humbën jetën në minierë, dy nga minatorët më me përvojë të saj, Avni Duriçi dhe Hysen Lezi, ndërkohë që minatorët ishin në grevë dhe nuk punohej në minierë. Atëherë lind pyetja: Kush urdhëroi dhe i çoi në punë këta dy minatorë"? Përse nuk del përgjegjësia? Dy inxhinierët e akuzuar për këtë tragjedi nuk kanë faj, pasi tjetër kush urdhëroi që ata të shkojnë në punë. Ndaj ne si sindikatë, - thotë më tej Përkoxha, - kërkojmë që organet e akuzës dhe kontrolli i shtetit, duhet të investigojnë, si për nxjerrjen e shkaqeve që çuan në humbjen e jetëve për 6 minatorë në gati një vit dhe vënien para përgjegjësisë të fajtorëve përkatës, ashtu edhe për zbardhjen e aferave korruptive, në këtë minierë, ku personi përgjegjës për vrasjen e minatorëve, merr galeri private për shfrytëzim". Përkoxha thotë se në galeritë që po kërkohet të privatizohen është strehuar krom prej tre vitesh. Ndaj, sipas tij, miniera duhet t‘i nënshtrohet transparencës së plotë të saj dhe ministri Ruli, duhet të interesohet personalisht për këtë punë. "Nëse një gjë e tillë nuk do të realizohet, pas Vitit të Ri, sindikata do detyrohet të rinisë përsëri grevat", thotë kreu i sindikatës së minierës së kromit në Bulqizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›