"Kafazi i Pëllumbave", në pranga dy falsifikatorë
Mjafton të njihje Mehmet Sulajn dhe Ylber Huqin për të evituar radhët e gjata në ministri dhe ambasada, ku duhej të dorëzoje dhjetëra dokumente për të fituar të drejtën e punës apo marrjen e vizës. Një tjetër privilegj nga Sulaj dhe Huqi ishte moskryerja e kursit tremujor për patentë, mos të shkoje në shkollë të mesme dhe në fund të trajtoheshe njësoj me të tjerët: përfitoje patentë dhe diplomë të shkollës së mesme. Policia e Tiranës prangosi dy superfalsifikatorët, ndërsa sekuestroi qindra dokumente zyrtare si: patenta, vula të ministrive dhe ambasadave të ndryshme në Tiranë, diploma të shkollave të larta, të mesme etj. Operacioni i koduar "Kafazi i pëllumbave" ka përfunduar dje. Mehmet Sulaj dhe Ylber Huqi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përfitonin dhjetëra mijëra euro nga këto "ndere". Por gjithçka është hasur nga specialistët e seksionit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar. "Ylber Huqi, gjatë momentit të ndalimit u kap me një certifikatë personale dhe një vërtetim shkolle të mesme të falsifikuar, ndërsa Mehmet Sulaj me një vërtetim shkolle të mesme të falsifikuar", thuhet në njoftimin e policisë kryeqytetase. Sipas saj, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Huqit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 45 copë vula të institucioneve të ndryshme shtetërore, si Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Transporteve, Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, Ambasadës Greke në Tiranë, minibashkive Tiranë, Komunës Kashar, shkollave të mesme të ndryshme të kryeqytetit. "U sekuestruan 70 copë dëshmi aftësie për drejtim automjeti, 30 dëshmi aftësie ndërkombëtare për drejtim automjeti, 10 vërtetime të shkollave të mesme të Tiranës, të vulosura por të pa plotësuara, 10 vërtetime të pa plotësuara, por të vulosura të njësisë bashkiake, 10 certifikata të regjistrimit të biznesit të vogël të bashkisë, të vulosura të pa plotësuara", thuhet në njoftimin për shtyp. Ai vijon më poshtë se u sekuestruan 10 formularë të regjistrimit teknik të automjeteve, të plotësuara në emra të ndryshëm, 5 certifikata personale të pa plotësuara, 5 vërtetime të Fakultetit Ekonomik, të vulosura por të pa plotësuara, 5 vërtetime të hyrjes në doganë, të vulosura por të pa plotësuara, 5 taksa regjistrimi vjetore të automjeteve, të plotësuara. Policia e kryeqytetit ka mundur të sekuestrojë në shtëpinë e Huiqit, e cila ngjasonte me një depo të dokumenteve shtetërore, edhe një dëshmi aftësie të tipit të ri, e plotësuar, e falsifikuar. Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Mehmet Sulajt u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy vula të falsifikuara të Drejtorisë së Transportit Rrugor, dy vërtetime të shkollës së mesme "Andon Zako Çajupi", të vulosura por të pa plotësuara. Tashmë hetimet i ka marrë në dorë Prokuroria e Tiranës, e cila po i heton dy superfalsifikatorët nën akuzat e "falsifikimit të dokumenteve zyrtare", "falsifikimit të dokumenteve shkollore", "falsifikimit të akteve të gjendjes civile", "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve" dhe "prodhimit të mjeteve për falsifikim" në bashkëpunim.