E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e banesës rrezikon jetën e 20 familjeve

Të paktën 20 të pastrehë që jetojnë në afërsi të pazarit të qyteti të Korçës rrezikojnë jetën nga shembja e banesës. Familjet u vendosën këtu të shpërngulur, një pjesë e tyre nga hani i gjelit në pazarin karakteristik, i cili pësoi shembje tri herë radhazi, derisa doli jashtë përdorimit për strehimin e nevojtarëve pa çati dhe për monumentet e kulturës që u angazhuan më pas për restaurime. Familjet e pastreha, të cilat janë vendosur në një godinë dykatëshe, janë detyruar të grumbullohen në dy dhoma, të cilat duket se mund të rezistojnë më shumë, por sipas tyre ata po jetojnë çdo ditë me ankthin dhe frikën se banesa mund t‘i zërë brenda, pasi rrezikon të shembet për shkak të vjetërsisë dhe moskryerjes së investimeve në të. Në godinën ku janë strehuar personat kryesisht të komunitetit rom, jetojnë edhe fëmijë, të cilët për shkak të kushteve të këqija sipas prindërve shpeshherë përjetojnë probleme shëndetësore. Ata tregojnë se për shkak se nuk kanë të ardhura nuk mund të gjejnë një strehë privatisht, por as të ikin nga shtëpia, që në fakt e ka edhe një pronar. Familjarët kanë apeluar për ndihmë që të zhvendosen në tjetër ambient, por nuk mund ta detyrojnë as pronarin që dy vjet më parë ka marrë këtë shtëpi në pronësi të investojë për sa kohë që ata trajtohen si të pastrehë edhe në shtëpinë e tjetrit pa asnjë pagesë. Në katin e dytë të godinës shikon tavane të rrëzuara dhe të çara, ndërsa në kohë reshjesh situata e këtyre familjeve është edhe më e vështirë. Për shkak të amortizimit të ndërtesës me çati që nuk përballon stinën e ftohtë dhe nga muret e çara dhe dëmtimet në vite, rrezikohet shembja e ndërtesës dykatëshe. Kjo për ata përbën një kërcënim për jetën e tyre dhe të fëmijëve, por i janë përshtatur deri më sot këtyre kushteve nga mungesa e një shtëpie. Sipas kushteve të reja për strehim, ata shprehen se edhe pse kanë statusin e të pastrehut, nuk mund të përfitojnë nga listat për apartamente, pasi nuk kanë mjetet financiare për të paguar këstet. Ata mendojnë se gjenden në një udhëkryq dhe apelojnë për ndihmë, ku më shumë kërkojnë gjetjen e një vendi tjetër për t‘u strehuar, ose në rast të kundërt të gjenden para për të kryer ndërhyrje në banesën aktuale. Mundësia e vetme sipas të dhënave që komunikohen zyrtarisht nga ana e bashkisë është që pronari të gjejë mjete financiare për të investuar, por ky i fundit më shumë kërkon largimin nga frika se po të ndodhë ndonjë aksident mund të ndëshkohet për rrezikun e jetës së banorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›