E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Biseda mes Bares e Dondollakut për një vrasje

Kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, ka urdhëruar nëpërmjet telefonit ekzekutimin e Baki Taullajt. Ngjarja ka ndodhur më 4 korrik 2005, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat shpallën fitues Partinë Demokratike. Taullaj ishte në mitingun e organizuar në qytetin myzeqar, ku një person i paidentifikuar ka qëlluar në drejtim të tij. Të afërmit e viktimave u organizuan dhe brenda pak orëve arritën të neutralizonin vrasësin, i cili ishte Leonard Prifti, duke e ekzekutuar. Dy vjet e gjysmë pas ngjarjes që tronditi procesin paszgjedhor në 2005-ën, ngjarja është pjesërisht e zbardhur, kjo falë teknikave speciale të hetimit, të përdorura nga shërbimi sekret ushtarak italian, SISMI. Përgjimet kanë zbardhur urdhrat e Bares në drejtim të Enver Dondollakut. Telefonata realizohej nga Turqia në drejtim të Italisë. Nga transkripti i bisedës, hetuesit italianë zbardhën se kreu i Bandës së Lushnjës urdhëronte krahun e djathtë të tij për disa ekzekutime në qytetin myzeqar. Në biseda përmendet se Dondollaku duhet t‘i dërgonte Baki Taullajt dy "karamele". Pas disa peripecish ai arriti të rekrutojë Leonard Priftin, i njohur si një nga ushtarët e bindur të Bares, i cili kishte finalizuar me sukses disa "punë" për "profesorin" (shën.red: nofka e përdorur nga Alfred Shkurt). U organizua operacioni, i cili u finalizua në datën 4 korrik 2005, ku qyteti i Lushnjës ishte pushtuar nga dhjetëra simpatizantë që festonin fitoren e Partisë Demokratike. Por, një moskoordinim i mirë i Priftit ka sjellë edhe ekzekutimin e tij nga të afërmit e Taullajt, i cili njihej në Lushnjë si një ndër biznesmenët më të fuqishëm të zonës në pronësi të disa karburanteve. Leonard Prifti, sipas policisë, ishte njeri i skeduar dhe problematik, madje dhe i kërkuar prej uniformave të rendit. Ai njihet si një nga anëtarët e bandës së Aldo Bares, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale të ndodhura në zonën e Lushnjës. Prifti akuzohet drejtpërdrejt për vrasjen disa vjet më parë të policit Klenti Bano.

Pas këtij episodi, drejtësia italiane, duke dashur të zbulojë një nga bandat më famëkeqe të trafikut të drogës në Itali, ka përgjuar disa telefonata të Aldo Bares, Enver Dondollakut dhe ushtarëve të tjerë të bandës, duke zbuluar edhe linjën e drogës, e cila fillonte nga Turqia, kalonte në territorin e Bullgarisë, Rumanisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe përfundonte në Itali. Policisë italiane i janë dashur më shumë se 18 muaj përgjime të telefonave celularë për të identifikuar dhe për t‘u siguruar plotësisht se pas personit me nofkën "Profesori" fshihej pikërisht Aldo Bare. Nga hetimet paraprake rezultoi se organizata vetëm në Itali kishte dy struktura krejtësisht të pavarura nga njëra-tjetra, që akuzohen se trafikonin heroinë dhe kokainë. Celula që përfshinte Italinë Jugore dhe atë Qendrore ishte me qendër në Romë dhe nga hetimet ka rezultuar se drejtohej prej Edmond Begos. Ndërsa celula që vepronte në Veri të Italisë e kishte qendrën në Milano dhe drejtohej prej Enver Dondollakut.

Përgjimet italiane

Hetuesit e Antimafies së Torinos kanë mbledhur të dhëna se "kapoja" i këtij rrjeti është Alfred Shkurti. Ky i fundit, sipas hetimeve italiane, ka pasur politikanë si garanci për trafikun ndërkombëtar të drogës. Mësohet se për zbardhjen e këtij rrjeti ka bashkëpunuar edhe Dondollaku. Prova kryesore e Antimafies italiane janë përgjimet. Prej tyre është kuptuar ekzistenca e një grupi shqiptarësh në shumë rajone të veriut (Itali), në veçanti në Piemonte, të cilët fusnin në treg heroinë dhe kokainë.

Eliminimi i konkurrentëve

Një nga vështirësitë e hetimit në Itali ishte se kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, nuk kishte qenë kurrë në Itali dhe në lojë ishte futur Shërbimi Sekret Italian. Sipas italianëve, në disa raste Bare ka ndërhyrë në Shqipëri, ku ka ndërmarrë aksione për të "eliminuar" personazhe të pakëndshëm ose konkurrentë. Shkurti akuzohet se ka arritur të kushtëzojë edhe disa ambiente institucionale shqiptare, falë edhe kontaktit me persona të futur në botën e politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›