E Diel, 1 Nëntor 2026

Gerets: Cana nuk është Bekenbauer

Trajneri i Olimpikut të Marsejës, Erik Gerets, ka kritikuar mesfushorin Lorik Cana, ndonëse ky i fundit ka qenë ndër më të mirët në fushën e lojës në ndeshjen e Kupës së Francës të fituar 3-1 ndaj Monakos. Gerets ka theksuar se Cana mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin, por nuk duhet të provojë të bëjë gjëra që nuk janë në repertorin e tij. "Ne kemi parë në këtë ndeshje se si lojtarët bënin veprime të bukura në fushë, si Cana që dha një pasim me pjesën e jashtme të këmbës së djathtë. Ai e di shumë mirë që nuk është Bekenbauer, ndaj është më mirë që ai të mbetet thjesht Cana. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin, pasi është kapiteni. Ai jep shembullin e sjelljes si profesionist, është shumë kërkues ndaj vetes dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. A mund të zëvendësohet Cana në sistemin tonë të lojës? Po!", ishte përgjigjja e Gerets ndaj pyetjeve të gazetarëve. Qëndrimi i Gerets ndaj mesfushorit shqiptar ka çuditur mediat franceze, të cilat e shohin Canën si liderin e Marsejës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›