E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët racistë rrezikojnë Çmimin e Madh të Spanjës

Spanja rrezikon të humbë Çmimin e Madh të Formula 1, që organizohet çdo vit në këtë vend nëse tifozeria e saj vazhdon fyerjet raciste ndaj Luis Hemilton, ashtu siç bëri gjatë provave të ditëve të fundit në pistën e Montmelo. Ka qenë vetë Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ajo që ka paralajmëruar se një gjë e tillë mund të bëhet realitet. Të gjithë e kanë cilësuar skandaloze sjelljen e tifozëve spanjollë, të cilët e fyen vazhdimisht pilotin britanik, ndërsa hynte në bokse, ndërsa disa prej tyre ishin lyer me bojë të zezë në fytyrë. E gjithë kjo situatë u krijua falë rivalitetit që Luis Hemilton kishte me Fernando Alonson gjatë sezonit të kaluar, kur spanjolli garonte me MekLaren. Vetë kjo skuadër është munduar të minimizojë gjithçka, por FIA ka bërë të ditur se në rastin e parë që do të rishfaqet ky fenomen, ajo do të përdorë masat më drastike.

Drejtuesit e MekLaren reaguan të parët nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke bërë të ditur se kishin respekt për tifozerinë e zjarrtë spanjolle. "Vodafone MekLaren Mercedes ka garuar dhe ka zhvilluar testime në pistat spanjolle për shumë vite me radhë. Të gjithë në skuadër janë shumë entuziastë sa herë që kthehemi në Spanjë, përfshirë këtu edhe Luis Hemilton". Por FIA nuk ka qenë aq "e butë" në reagimin e saj dhe ka paralajmëruar se Spanja tashmë rrezikon zhvillimin e garave që zhvillohen në këtë vend, duke kujtuar se vetëm gjatë këtij edicioni do të garohet dy herë në Barcelona dhe Valencia. "FIA është e çuditur dhe e zhgënjyer për fyerjet në adresë të Luis Hemilton. Një sjellje e tillë është një shkelje e qartë e principeve të sqaruara në statutin e FIA-s dhe çdo përsëritje do të shoqërohet nga sanksione, ku nuk përjashtohet as anulimi i garave", u shpreh një zëdhënës për shtyp i FIA-s. Një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga Anglia, ku Luis Hemilton cilësohet si një hero kombëtar, pasi po shkëlqen në garat e Formula 1 në një moshë shumë të re. Ish-ministri i Sporteve, Riçard Keborn, deklaroi se ishte i indinjuar nga ajo që kishte ndodhur gjatë fundjavës në vendin iberik. "Kjo është e papranueshme. Unë fola me ministrin e Sporteve të Spanjës në periudhën kur lojtarët anglezë u fyen nga tifozeria disa vite më parë. Kjo është një sjellje e turpshme dhe nuk ka asnjë lidhje me sportin", u shpreh ai.

Edhe Luis Hemilton ka mbetur shumë i zhgënjyer nga ajo që ka ndodhur në pistën e Montmelo, ku të gjithë tifozët iu vunë kundër, si shenjë mbështetjeje për Fernando Alonson. "Jam shumë i trishtuar. Mua më pëlqen Spanja dhe Barcelona, pasi atje njerëzit kanë qenë gjithmonë shumë të dashur ndaj meje. Dua të saktësoj për këta tifozë se nuk jam përpjekur asnjëherë të penalizoj me dashje Fernando Alonson", ishte mesazhi që Hemilton dha para mediave. Megjithatë, duket se britaniku tani e tutje do ta ketë shumë më të vështirë të garojë në Spanjë, ku Fernando Alonso mbetet idhull i padiskutueshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›