E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizohen dhe 23 mijë shtëpi pa leje në 6 rrethe të vendit

Vendimi i fundit i KRRTRSH-së legalizon 23 mijë ndërtime pa leje, nga ku përfitojnë rreth 17 mijë familje në gjashtë qytetet më të mëdha të vendit. Ndërtimet në zonat informale, të cilat u jepen ligjërisht pronarëve të rinj, janë në territoret administrative të Qarkut të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhës dhe Elbasanit. Nga 64 zona informale që ishin në pritje të legalizimit, KRRTRSH ka marrë përsipër të miratojë vetëm 31 prej tyre, nga ku do të ligjërohen gjithsej 23 mijë ndërtime pa leje. Në mbledhjet e ardhshme të KRRTRSH do të miratohen edhe 33 zona të tjera informale, të cilat për momentin janë nën shqyrtim nga ALUIZNI për të bërë verifikimet e mundshme. Nga ligjërimi i këtyre zonave të dyta do të pritet legalizimi i 50 mijë banesave pa leje, të cilat janë futur nën procesin e legalizimit. Sipas drejtorit të ALUIZNI-t, Shaban Memia, të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, pas hyrjes në fuqi të ligjit, nuk do të legalizohen. Ndërsa kreu i qeverisë kërkoi të tregohej kujdes në legalizimin e ndërtimeve mbi zonat arkeologjike dhe historike, duke theksuar se "nuk duhet të ketë asnjë legalizim në këto zona". Ndërkohë që tokat që u përkasin pronarëve të ligjshëm, nuk do të legalizohen, por do të jenë pjesë e kompensimit. Kjo është pohuar nga vetë drejtori i agjencisë së legalizimit, Shaban Memia. Në zonat informale të paraqitura në KRRTRSH për miratim, janë 30734 objekte, prej të cilave 839 janë shtesa nëpër pallate, ndërsa 989 objekte janë me funksione të përziera. Sipas strukturës ndërtimore, janë 10515 objekte njëkatëshe, 3686 dykatëshe, si dhe 1361 objekte me mbi tre kate. "Për të legalizuar ndërtimet në këto zona, kanë aplikuar 16996 familje, për 74993 banorë, sipas certifikatave të dorëzuara gjatë procesit të vetëdeklarimit, tha Memia.

Bashkëpunimi bashki-ALUIZNI

Kryeministri Berisha ka kërkuar nga ALUIZNI që të ketë një dialog konstruktiv me qeverisjen vendore për legalizimin e zonave informale brenda qyteteve, në mënyrë që të zbatohet me rigorozitet ligji i ndërtimeve informale. Kryeministri kërkoi që në procesin e legalizimit të zonave informale brenda qytetit të vendoset një dialog konstruktiv me autoritet e qeverisjes vendore, në mënyrë që të zbatohet me rigorozitet ligji. "Në procesin e legalizimeve të zonave informale brenda qytetit, duhet të keni një dialog konstruktiv me autoritetet vendore, në mënyrë që të zbatohet me rigorozitet ligji dhe t‘u jepet përgjigje problemeve që dalin", tha Berisha. Duke shprehur vlerësimet për ecurinë e deritanishme të procesit, Kryeministri u shpreh gjithashtu për nevojën e riprofilizimit të personelit të ALUIZNI-t, në mënyrë që të përballohen profile të reja pune që dalin para agjencisë, pas fazës së studimit dhe përpunimit të dokumentacionit. I gjithë procesi i legalizimit, deri në regjistrimin fillestar në hipotekë të ndërtimeve, do të realizohet nga administrata e agjencisë, e cila së fundmi do të rekrutojë rreth 600 specialistë në të gjithë vendin për të përballuar procesin voluminoz të punës.

Verifikimi

Në sekretarinë teknike të KRRTRSH-së presin shqyrtimin dhe 33 zona të tjera informale që kapin një numër prej 57 mijë ndërtimesh informale, që në total, bashkë me zonat që u miratuan, bëjnë 80 mijë ndërtime së bashku. Zonat që presin miratim ndodhen në komunat e Shkodrës, ku bëjnë pjesë 8 prej tyre, në Lezhë pritet legalizimi i vetëm 3 zonave informale, janë 11 zona në Vlorë, janë 3 në Durrës dhe 8 në Qarkun e Korçës. Në total, deri tani janë miratuar në aspektin ligjor dhe janë gati për të hyrë në dokumentacionin e parashikuar në ligjin për legalizimet 200 mijë ndërtime informale.

Zonat informale të miratuara në KRRTRSH

19 zona në Qarkun e Tiranës

Njësia bashkiake numër 1, një zonë

Njësia bashkiake numër 3, një zonë

Njësia bashkiake numër 5, një zonë

Njësia bashkiake numër 8, një zonë

Bashkia e Kavajës 2 zona

Bashkia e Vorës 2 zonë

Komuna e Ndroqit 1 zonë

Komuna e Pezës 1 zonë

Komuna e Bërxullit 1 zonë

Komuna e Prezës 3 zona

Komuna e Syneit 1 zonë

Bashkia e Kamzës 1 zonë

Komuna e Farkës 1 zonë

Komuna e Kasharit 1 zonë

3 zona në Qarkun e Shkodrës

Zona e Baçallëkut

Vau i Dejës

Komuna Rrethinë

Një zonë në Qarkun e Durrësit

Zona e Shkozetit

4 zona informale në Qarkun e Elbasanit

Zonat informale 2, 3, 4, dhe 43 në Bashkinë e Elbasanit

Komuna e Bradasheshit 1 zonë

Një zonë në Qarkun e Gjirokastrës

Komuna e Lazaratit

Një zonë në qytetin e Lezhës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›