E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë ambasadorë të NATO-s, mision në Tiranë

Një mision i rëndësishëm i NATO-s, i përbërë nga pesë ambasadorë, ka nisur dje një vizitë dyditore në Shqipëri, për të vëzhguar arritjet e Shqipërisë për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ky mision do të përgatisë një raport që do të miratohet në Këshillin e Përhershëm të Ambasadorëve të NATO-s, i cili mblidhet në Bruksel në fund të janarit. Delegacioni i përbërë nga ambasadori i Britanisë së Madhe, Stjuart Eldon, ambasadori danez Per Polsen-Hansen, ambasadori francez Rishard Dyk, ambasadori gjerman Ulrih Brandenburg dhe ambasadori holandez Herman Shaper, kanë ardhur në Tiranë me ftesën e shefit të diplomacisë shqiptare. Lulzim Basha dhe //////////janë takuar me krerët më të lartë të shtetit. Në takimin e zhvilluar në Presidencë, Kreu i Shtetit, Bamir Topi, i ka njohur me punën konkrete që po bëhet me reformat kryesore në vend, reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, si dhe klimën pozitive të bashkëpunimit mes mazhorancës e opozitës për këto reforma thelbësore, si një tregues i vullnetit të përbashkët për të marrë një ftesë në Samitin e Bukureshtit në muajin prill të këtij viti. Duke u ndalur në çështje të rajonit, Presidenti Topi ka evidentuar rolin dhe mesazhet moderuese të Shqipërisë, që janë përcjellë nga kryetari i shtetit gjatë vizitave të zhvilluara në Ballkan e më gjerë, por edhe qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, qëndrim i koordinuar me atë të faktorit ndërkombëtar. Ambasadorët e NATO-s, duke vlerësuar rolin moderues të Shqipërisë në rajon, kanë inkurajuar vazhdimin e reformave me të njëjtin ritëm si rruga e domosdoshme për të marrë rezultatin e pritshëm nga Samiti i Bukureshtit. Ndërkaq, në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes ishte edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral lejtnant Luan Hoxha, koordinatori i Kryeministrisë me NATO-n, Glori Husi, si dhe ambasadori ynë në Bruksel, Artur Kuko.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth reformave të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes dhe FA shqiptare për transformimin dhe modernizimin e tyre, në përputhje me standardet që kërkon NATO. Ministri Mediu u ndal veçanërisht në procesin e reformimit dhe transformimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke theksuar se sidomos në vitet e fundit dhe përgjatë vitit 2007 ato kanë bërë një progres të dukshëm në këtë proces. Në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Jashtme, shefi i Diplomacisë, Lulzim Basha, nënvizoi hapat konkretë të Shqipërisë në reformimin e sistemit të drejtësisë, si dhe në reformën elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›