Projekti, dyfishohen sigurimet shëndetësore
Komisioni i Shëndetësisë miraton
projektligjin për rritjen e pagesës së
sigurimeve shëndetësore. Ashtu siç ishte
parashikuar një vit më parë dhe
sikundër ishte diskutuar edhe nga përfaqësuesit
më të lartë të Shëndetësisë
dhe Kujdesit Shëndetësor, kontributet
në këtë sektor do të rriten më shumë se
dyfishin e shumës aktuale. Tashmë,
vlera që do të mbahet nga rroga e qytetarëve
për sigurimin shëndetësor nuk do
të jetë 3.4 për qind e pagës, por 7.5 për
qind. Një variant i diskutuar dje në komision
ka qenë edhe 7.9 për qind, por
projektligji i diskutuar e ka vendosur
përfundimisht që vlera që do të mbahet
nga paga për sigurime shëndetësore do
të jetë 7.5 për qind.
"Projektligji i ri për krijimin e fondit
të shëndetit, pritet që të sjellë ndryshime
të shumta në skemën e kontributeve
shëndetësore, çka parashikon që
masa e kontributeve të rritet për të sjellë
një zbatim dhe cilësi më të mirë të shërbimeve
të ofruara ndaj pacientëve", tha
ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka,
gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar
të Shëndetësisë. Rolin kryesor
në këtë reformë e ka Instituti i Sigurimeve
të Kujdesit Shëndetësor, si blerës
i vetëm i shërbimeve, i cili do të menaxhojë
grumbullimin dhe shpërndarjen e
të ardhurave për shërbimet shëndetësore.
"Në projektligjin e ri është parashikuar
që kontributi për sigurimet shëndetësore,
nga 3.4 për qind të bëhet 7.5
për qind", referoi Ndoka. Sipas tij, skema
e kontributeve shëndetësore në sajë
të një projektligji të ri, që është përgatitur
nga ISKSH, pritet të pësojë ndryshime.
Skema aktuale e sigurimeve
shëndetësore ka një tjetër zbatim: masa
e kontributit për personat e punësuar
është 3.4 për qind e pagës mujore, ku
1.7 për qind i paguan punëdhënësi dhe
1.7 për qind i paguan punëmarrësi. Nga
ana tjetër, kontributi për të vetëpunësuarit
në qytet është 7 për qind e pagës
minimale. Të vetë punësuarit në fshat
paguajnë 3 për qind në zonat kodrinore
dhe malore. Ndërsa ata në zonat fushore
paguajnë 5 për qind. Sipas përfaqësuesve
të shëndetësisë, të tilla shifra
janë tepër të ulëta, pothuajse më të ulëtat
krahasuar me vendet e rajonit.