QSUT do të blejë këtë vit vetëm gjysmat e ilaçeve
Buxheti që shëndetësia i ka
akorduar spitalit më të
madh të vendit, nuk i plotëson
kërkesat e pacientëve që shtrohen
në këtë qendër. Fondi, i cili
është parashikuar për ilaçet e spitalit
më të madh të vendit, jo vetëm
që nuk është i mjaftueshëm, por
është i mangët. Faktin e ka bërë
publik vetë administrata e QSUTsë,
e cila e ka çelur vitin me mungesa
edhe duke pasur deficite për
barnat me të cilat trajton pacientët.
Këtë vit, qendra spitalore
universitare, "Nënë Tereza", ka
marrë një buxhet me të paktën 60
për qind më të ulët se nevojat e
pacientëve që shtrohen aty për
trajtim. Por jo vetëm kaq, një pjesë
e mirë e shërbimeve të spitalit e ka
shtyrë me ilaçet e me rezervat e
mbetura nga viti 2006. Këtu nuk
bëhet fjalë vetëm për ilaçet, të cilat
konsumohen sipas metodës së
trajtimit, por edhe për ato pjesë që
u nevojiten aparaturave për të kryer
ekzaminime apo diagnostikime
të ndryshme. Me paratë e fondit
që duhet të kullandriset QSUT-ja
duhet të jetë edhe pjesa e blerjes
së filmave, elektrodave për
ekzaminimin e biçikletës te kardiologjia,
pajisja e aparaturave me
kite apo pjesë të tjera si këto.
Mungesat
Filma për kryerjen e rezonancës,
apo pjesë të tjera që u
shërbejnë aparaturave të shërbimeve
për të ekzaminuar, janë të
mangëta. Pacientët kthehen
mbrapsht, pasi nuk arrijnë të
mbarojnë punë ose i blejnë privatisht
këto pjesë për të kryer analizat.
Vitin që kaloi, problemet e mungesave
erdhën si pasojë e vonesave
të procedurave të tenderave.
Kjo solli që në 2007 spitali të kryente
punë me furnizimet e 2006-
ës. Ndërsa këtë vit, ky spital duhet
të mjaftohet me ato para, të cilat
arrijnë të plotësojnë pak më
shumë se gjysmat e kërkesave.
"Është folur për rritje të fondit të
shëndetësisë, por ajo përqindje
pak më e lartë se një vit më parë,
ka të bëjë me rritjen e përvitshme,
që ndodh për efekt të numrit më
të madh të pacientëve, që paraqiten
nga viti në vit", sqaroi zyrtarisht
QSUT-ja. Nga ana tjetër, drejtoria
e QSUT-së, për disa nga mungesat
do të vazhdojë aplikimin e
blerjeve të vogla, të cilat nuk duhet
të kalojnë vlerën e 250-300
mijë lekëve të reja.
Deficiti në parësor
Kriza e ilaçeve rrezikon të përfshijë
këtë vit jo vetëm spitalin më
të madh të vendit, por edhe barnat
që jepen me rimbursim nga shteti.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit
Shëndetësor ka marrë për vitin
2008 një buxhet 5 për qind më të
ulët sesa kërkesat dhe nevojat që
ka ky institucion për të mbuluar
"urinë" e popullatës për trajtime
mjekësore. Sipas të dhënave, në
periudhën e hartimit të projektbuxhetit
ishte planifikuar që
ISKSH-ja të merrte një shifër prej 6
miliardë e 189 milionë lekë, ndërsa
fondi që u miratua u ul deri në 5
miliardë e 860 milionë lekë të reja.
Specialistët e Institutit të Sigurimeve
Shëndetësore pohojnë se
këtë vit, jo vetëm që nuk do të ketë
ilaçe të reja në listën e barnave, por
madje rrezikohet edhe shkurtimi i
listës së ilaçeve, duke nxjerrë jashtë
një pjesë të medikamenteve që
aktualisht janë të rimbursuara nga
shteti. Në listën e barnave me rimbursim
ka 368 ilaçe që mbulojnë
94 për qind të sëmundjeve kronike.
Nga kjo listë përfitojnë të paktën
500 mijë pensionistë në të
gjithë vendin. Kategori kjo që ndjen
mungesën apo ndryshimet që
bëhen me listën e barnave.