"I dogjëm regjistrat se kishim mungesa"
Gjimnazistët e "Sami Frashërit" e kanë pranuar fajin për vjedhjen dhe djegien e regjistrave të shkollës së tyre. "I dogjëm regjistrat, pasi kishim bërë shumë mungesa", mësohet të kenë thënë përpara gjykatëses së gatshme, 18-vjeçarët Lori Kelolli dhe Jurgen Ceno dhe 17-vjeçari G.GJ. Tre gjimnazistët dhe bashkëpunëtori i tyre Flavio Rusheku janë sjellë dje në Gjykatën e Tiranës për shqyrtimin e masës së sigurisë. Pasi ka dëgjuar argumentet e prokurorit të çështjes, si dhe fjalën e të pandehurve, gjyqtarja ka vendosur të miratojë kërkesën e organit të akuzës për lënien me detyrim paraqitjeje të të katër të akuzuarve.
Sipas prokurorisë, katër ditë më parë, në orët e vona të natës, të katër të rinjtë kanë marrë nga sekretaria e shkollës 21 regjistra të klasave të ndryshme dhe më pas i kanë djegur ato plotësisht brenda një pusete në afërsi të rrugës së "Barrikadave". Arsyeja ishte ajo që edhe ata vetë deklaruan në gjyq, se kishin shumë mungesa dhe rrezikonin përjashtimin nga shkolla.