E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobë 500 dollarë për secilin lojtar kuqeblu

Humbja 4-0 që Vllaznia pësoi në fushën e Shkumbinit nuk është kaluar lehtësisht në Shkodër. Drejtuesit e klubit kuqeblu vendosën të gjobisnin me 500 dollarë amerikanë secilin lojtar, duke i konsideruar këta të fundit si shkaktarët e vetëm të këtij rezultati. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë skuadrës: "Presidenti Fushaj dhe bashkëpunëtorët e tij nuk e kanë pranuar rezultatin dhe kanë vendosur të gjobisin skuadrën. Çdo futbollist do të ndëshkohet me 500 dollarë". Ndërkohë, në ambientet e skuadrës "mbretëron" heshtje totale dhe askush nuk flet. Gjithsesi, sipas të njëjtit burim nuk ka gjasa që drejtuesit të marrin edhe masa më të ashpra, duke pezulluar futbollistët. Kjo humbje u ka kushtuar shumë shkodranëve të drejtuar nga Mirel Josa: nëse do të kishin marrë tre pikët e plota, tashmë ata do të renditeshin në vendin e katërt, vetëm 6 pikë distancë nga Dinamo kryesuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›