E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo: Anglia, një ëndërr që u realizua

Në konferencën e parë për shtyp si trajner i Anglisë, Fabio Kapelo ka deklaruar se emërimi i tij në krye të Kombëtares ishte "realizimi i një ëndrre". "Jam shumë krenar që jam trajneri i ri i Anglisë", deklaroi Kapelo, që për bashkëbisedimin me mediat e kishte të nevojshme prezencën e një përkthyesi. "Ndihem i nderuar për këtë detyrë, pasi është një ëndërr që realizohet... Jam i bindur se kjo është një skuadër e madhe dhe mund të arrijmë majat. Do të punojmë për të realizuar objektivat që i kemi vënë vetes". Më pas, fjalët të cilat nuk janë pritur mirë në atdheun e tij: "Kombëtarja italiane? Të gjithë ata persona që janë të afërt me mua e dinë shumë mirë se asnjëherë nuk kam pasur dëshirë ta drejtoj. Këto fjalë i them me gjithë respektin që kam për skuadrën ‘axurre‘, ku edhe kam luajtur në periudhën kur isha futbollist". Pasi ka bërë prezantimin si trajner i "Tre Luanëve", objektivi i parë i Kapelos është që të mësojë sa më shpejt gjuhën angleze. "Jam i bindur se pas një muaji, kur do të bëhet edhe grumbullimi i parë i skuadrës, do të jem në gjendje të flas anglisht, vazhdoi trajneri. Përditë do të aplikohem me synimin që të jem në gjendje të bashkëbisedoj me futbollistët. E cilësoj si tejet të rëndësishëm faktin që duhet të shpreh mendimet e mia". Duke vazhduar më tej ai ka folur edhe rreth vendimit për të pasur edhe anglezë në stafin teknik: "Kërkova që në stafin tim të bëjnë pjesë edhe disa anglezë, pasi në çdo vend që kam qenë kam vepruar në këtë mënyrë. Dëshiroja të kisha pranë edhe njerëz që e njihnin Anglinë".

Kapelo nuk ka preferuar të bëjë menjëherë "deklarata lufte", duke u paraqitur i ekuilibruar në përgjigjet për dy prej temave më të nxehta në skuadër: grumbullimi i Bekham dhe shiriti i kapitenit. "Në kohën kur isha te Reali i Madridit, marrëdhëniet e mia me Bekhamin ishin mjaft delikate, gjithsesi, ai vërtetoi se është një futbollist i madh. Mendoj se është një lojtar shumë i rëndësishëm për Anglinë, por unë duhet të bëj zgjedhjet e mia. Nuk kam asgjë kundër tij dhe nëse do ta meritojë, Bekham do të grumbullohet në Kombëtare", tha 61-vjeçari për mesfushorin, ndërkohë që për problemin e shiritit të kapitenit vazhdoi: "Zgjedhja e kapitenit? Sapo kam mbërritur dhe kam shumë vendime për të marrë. Më lini vetëm një muaj kohë dhe do të vendos. Jam me fat që ndeshjet kualifikuese do të fillojnë në muajin shtator. Kemi menduar që deri në qershor të zhvillojmë pesë takime miqësore dhe ato do të më ndihmojnë të kuptoj shumë gjëra, por si fillim do të krijojmë një grup. Me sa kam kuptuar, duket sikur në Angli nuk keni shumë besim te kombëtarja, ndërkohë që unë mendoj se kjo skuadër mund të ecë shumë larg. Kjo është arsyeja përse vendosa të pranoja punën me këtë skuadër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›