Kapelo mban premtimin, tani flet anglisht
Fabio Kapelo ka vërtetuar përsëri se kur i ngulitet në mendje për të bërë diçka, e arrin atë. Sfida e radhës e trajnerit italian nuk ka qenë në fushën e lojës, por premtimi që u kishte bërë mediave britanike se për një muaj do të mësonte të komunikonte në gjuhën angleze, në mënyrë që ta kishte më të lehtë të drejtonte Kombëtaren angleze. Mediat ironizuan me këtë premtim, duke e cilësuar të pamundur një gjë të tillë, por duket se Kapelo ka triumfuar përsëri, pasi në fillimin e grumbullimit të parë të përfaqësueses, është prezantuar para lojtarëve duke folur anglisht. Sipas gazetës "Times", ndonëse anglishtja e tij nuk ishte perfekte, por më se e kuptueshme për futbollistët, të cilët kanë dëgjuar idetë e italianit për miqësoren me Zvicrën. "Do të emëroj një kapiten për këtë miqësore, por nuk do të jetë zgjedhja përfundimtare, të cilën do ta bëj vetëm kur të fillojnë ndeshjet zyrtare", ka qenë shpjegimi i parë i Kapelos, i cili ka lënë të kuptohet se Xherard, Ferdinand dhe Terri do të kalojnë në duart e tyre shiritin gjatë këtyre muajve. Më pas, Kapelo ka shpjeguar se do të ishte në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë lojtarët, pasi askush nuk e kishte vendin të sigurt në formacion. Për këtë arsye, ai do të vazhdojë miqësoret e njëpasnjëshme gjatë këtyre muajve për të përzgjedhur elementët më cilësorë që do të aktivizohen në eliminatoret e Botërorit. "Po pres me padurim që të fillojmë stërvitjen në fushë. Kemi shumë punë për të bërë, por jam i gatshëm për këtë sfidë. Shtatë muaj na ndajnë nga ndeshja e parë zyrtare, por puna e vërtetë fillon tani", tha ai.