Kushtetuesja, PS-ja pritet që të mbështesë kandidaturën e Tushës
Deputetët e Partisë Socialiste pritet që të mos shfaqin kundërshti për emrin e Vitore Tushës si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Burime nga grupi parlamentar i selisë rozë sqarojnë se nuk ka një arsye të fortë mbi të cilën të deklarohet vota kundër. Duket se Tusha do të kalojë në Kuvend jo vetëm me shumicë të thjeshtë, ndonëse Kushtetuta parashikon 70+1 vota. Katër vite pas tentativës së parë ajo mund të marrë edhe konsensusin e nevojshëm të pozitës dhe opozitës. Një tentativë bllokuese nga ana e socialistëve dhe opozitës nuk do të ishte produktive për shkak se shumica ka numrat e nevojshëm. Në këtë mënyrë, Vitore Tusha pritet që të jetë anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese pas votimit në Kuvend. Arsyet mbi të cilat u bazua kundërshtia në përpjekjen e parë të saj duket se kanë rënë poshtë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpalli para dy ditësh dekretin në mbështetje të nenit 125, pika 1 e Kushtetutës. Tusha nuk është një emër i panjohur për politikën shqiptare, pasi ëndrra e saj për t‘u zgjedhur në këtë detyrë ka filluar që në vitin 2004. Presidenti i asaj kohe, Alfred Moisiu, përzgjodhi këtë kandidaturë si zëvendësuesen e Zija Vucit që i mbaronte mandati. Partia Socialiste, në atë kohë në pushtet, kundërshtoi fort dekretin e kreut të shtetit, duke deklaruar votën kundër. Arsyeja e këtij kundërshtimi kishte të bënte me faktin se Tusha bënte pjesë në trupin gjykues që rrëzoi përpjekjet e ish-gjykatësit Zef Brozi për lirimin nga burgu të kryetarit të opozitës, Fatos Nano, në vitin 1995. Në korrik të vitit 1995, kryetari i Gjykatës së Kasacionit e çoi çështjen e dënimit të Fatos Nanos në rekurs "në interes të ligjit". Ky veprim synonte që t‘i jepte pafajësinë Nanos në atë kohë dhe të bënte të mundur lirimin e tij nga burgu ku qëndronte prej një periudhe kohe që nga përfundimi i gjyqit për çështjen e "Levante & Co". Vendimi i dhënë prej tyre ishte që kjo kërkesë e bërë nga Zef Brozi të shtyhej për t‘u diskutuar disa muaj më vonë, në shtator. Shtyrja për më vonë e diskutimit dhe vendimit për kërkesën e bërë nga Zef Brozi i dha kohë atyre që nuk donin të linin Nanon nga burgu të përgatisnin kundër përgjigjen. Me vendimin numër 138, datë 15.7.2004, Kuvendi vendosi "mosdhënien e pëlqimit për emërimin e zonjës Vitore Tusha, anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vend të zotit Zija Vuci". Pas këtij vendimi, Moisiu u detyrua të tërhiqej duke sjellë një tjetër emër, që të siguronte mbështetjen e shumicës. Tanimë, edhe presidenti i ri Bamir Topi insiston tek emri i Tushës ndërsa mazhoranca e djeshme është në opozitë. Me propozimin e Tushës për anëtare të Kushtetueses duket se ka filluar ftohja mes Nanos dhe Topit. Sakaq, pikëpyetja mbi qëndrimin e grupit parlamentar socialist ndaj kandidaturës që refuzuan tre gati katër vite më parë pritet të marrë përgjigje.