Përgjimet, Olldashi mbron policinë
Komisioni i Sigurisë Kombëtare është përfshirë dje sërish në debate në lidhje me projektligjin për përgjimet telefonike. Projektligji kërkon që të lejohen përgjime edhe për llogari të Policisë së Shtetit. Ndryshimi është kundërshtuar me forcë nga opozita, e cila ka theksuar se përgjimet duhet të bëhen vetëm për llogari të prokurorisë dhe të SHISH-it. Sipas opozitës dhënia e lejes që përgjimet të bëhen për llogari të policisë shton hapësirën për të abuzuar politikisht, pasi ministri i Brendshëm është person politik. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti i PS-së, Petro Koçi, pas mbledhjes është shprehur se "mbetemi në opozitë të fortë ndaj faktit që projektligji kërkon që në ekzekutimin e përgjimit të përfshihet edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të policisë dhe vetë policia, të cilat janë institucione, që kanë varësi nga një person politik siç është ministri i Brendshëm". Sipas tij, në këtë rast, shtohet hapësira për të abuzuar jo vetëm politikisht, por edhe të drejtat e liritë e njeriut. "Ne, tha deputeti i PS-së, prandaj jemi kundër kësaj pjesë të projektligjit, që përfshin direkt operatorët e policisë dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për të përgjuar dhe kjo është e papranueshme. Ndërsa ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili ka qenë i pranishëm dje në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, ka kundërshtuar pretendimet e opozitës, duke thënë se ky projektligj nuk merr kompetencat e prokurorisë dhe të SHISH-it. Sipas tij, prokuroria do të ndërhyjë aty ku ka të drejtë dhe i takon me ligj. "Duke respektuar ligjin e 2003-it, do të ndahet sektori i përgjimeve nga SHISH-i dhe nga Policia e Shtetit, secili do të këtë gamën e vetë procedurale të përgjimit", është shprehur Olldashi. Ministri ka sqaruar më tej se SHISH-i ka përgjimet informative gjurmuese, policia ka perceptimet parandaluese, nuk ka asnjë ndryshim, por ka vetëm, një saktësim. "Është detyrë e komisionit që në fund të analizës së gjetjeve që do të bëjë gjatë procesit të punës, të nxjerrë rekomandimet e veta, qoftë për përmirësimet administrative, qoftë për ato ligjore që mund të ketë nevojë të sistemojmë edhe më tej lëmin e përgjimeve telefonike", vijoi Olldashi. Komisioni ka rënë dakord që në mbledhjen e ditës së sotme të jetë i pranishëm edhe drejtori i SHISH-it dhe ministri i Brendshëm për të dhënë mendimet rreth këtij projektligjit. Në mbledhjen e kaluar anëtarët e Komisionit parlamentar të Sigurisë, të cilët janë edhe anëtarë të Komisionit hetimor për Përgjimet, kërkuan që diskutimi i këtij projektligji të shtyhej, pasi komisioni hetimor të nxjerrë konkluzionet. Propozimi nuk është pranuar nga përfaqësuesit e mazhorancës. Aktualisht Komisioni hetimor për Përgjimet ka edhe pak ditë punë dhe burime pranë tij bënë të ditur për "Shqip" se nga hetimet e deritanishme rezultojnë se ka edhe deputetë të përgjuar në mënyrë indirekte. Gjithashtu ata kanë dërguar një specialist pranë SHISH-it pasi tre të tjerët ky institucion nuk i ka pranuar që të marrë informacionet paraprake të cilat do të ndihmojnë në hetimet e komisionit. Këto burime thanë se nga hetimet janë kapur mjaft shkelje, por që përbëjnë sekret dhe nuk mund të publikohen në media.