E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizohen 2 mijë ndërtime në Rrashbull

Me gjithë paralajmërimet e bëra, ndërtimet në bregdetin e Durrësit vazhdojnë me ritme të larta. Situata është konstatuar zyrtarisht edhe nga drejtues të Këshillit të Qarkut Durrës dhe njësive vendore, pjesëmarrëse në mbledhjen e radhës. Ata kanë vendosur të bashkëpunojnë, duke ngritur grupe të përbashkëta pune, që do të synojnë të frenojnë epideminë e betonimit të bregdetit durrsak, duke futur në funksionim policitë e ndërtimit, të cilat prej pak kohësh kanë kaluar në kompetencë të bashkive dhe komunave. Ndërsa i ka hapur dritën jeshile legalizimit të ndërtimeve informale në dy prej fshatrave të Komunës Rrashbull, këshilli i qarkut ka shfaqur si nevojë bashkëpunimin dhe ngritjen e një strukture të përbashkët, në përbërje të së cilës të jenë përfaqësues të këtij këshilli, Aluizni-t, si dhe komunave e bashkive që kanë territore bregdetare nën administrim. Procesi i legalizimit të objekteve të paligjshme i ka hapur rrugë gjatë muajve të fundit një fluksi të ri ndërtimesh. Shumë individë dhe subjekte ndërtimi kanë nxituar të përfitojnë nga situata, megjithëse zyrtarisht është deklaruar se çdo ndërtim i ri nuk do të përfshihet në procesin e nisur të legalizimit. Përgjatë zonave bregdetare të qarkut janë konstatuar objekte të reja në ndërtim, të cilat shpejtojnë dhe të përgatisin dosjet për t‘iu nënshtruar legalizimit. Po nga pushteti vendor i Qarkut të Durrësit mbërrin deklarata e mostolerimit të ndonjë prej ndërtimeve që bien ndesh me ligjin për legalizimet dhe cenojnë afatet kohore të parashikuara në të. Struktura e ngritur do të fillojë në këtë ditë të fundvitit nga puna, me ngritjen e grupeve të vogla që do të mbulojnë të gjithë terrenin. Ndërkaq, me shumicë votash Këshilli i Qarkut të Durrësit i ka hapur rrugën legalizimit të

110 hektarëve sipërfaqe të ndërtuara dhe rreth 268 hektarëve sipërfaqe e gatshme për legalizim. Objektet që së shpejti do të kalojnë në KRRTRSH për legalizim u përkasin fshatrave Rrashbull dhe Arapaj të Komunës së Rrashbullit, komunë kjo që një pjesë të mirë të territorit e ka bregdet. E gjithë sipërfaqja për legalizim është pjesë e përplasjes mes Bashkisë së Durrësit dhe Komunës Rrashbull, pasi ndodhet brenda vijës së verdhë të qytetit bregdetar të Durrësit, në bazë të miratimit për zgjerimin e qytetit port, që u bë nga KRRTRSH në vitin 1999, në kohën kur bashkia drejtohej nga Arqile Gorea.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›