E Diel, 1 Nëntor 2026

U akuzua për korrupsion, kthehet në punë shefi i urgjen

Kthehet në punë shefi i urgjencës në spitalin e Durrësit. Ndërsa shkarkimi i tij u bë në fund të korrikut, gjatë një konference të bujshme për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë së cilës u deklarua goditja e rasteve korruptive në shëndetësi, nuk kaluan veçse pak muaj që situata të përmbyset. Shkarkimi i tij erdhi pas shfaqjes në disa televizione të pamjeve që e fiksonin duke marrë para, po pesë muaj më pas Tivari është rikthyer në vendin e tij të punës, duke marrë të njëjtin funksion drejtues në repartin e urgjencës spitalore. Në tetor, bordi drejtues i spitalit me kryetare Aida Joanidhi, drejtoreshë e burimeve njerëzore në ministri, kundërshtoi vendimin e Ndokës për shkarkim dhe emërim të një mjeku tjetër në detyrën e tij, deri në pritje të vendimit gjyqësor. Zyra e marrëdhënieve me publikun në spitalin rajonal të Durrësit bëri të ditur dje se Arjan Tivari nga kjo ditë kthehet në pozicionin e shefit të repartit të urgjencë-pranimit. Ky kthim është kryer duke u bazuar në vendimin e prokurorisë së rrethit gjyqësor me nr. 903 të datës 7 dhjetor, që mbyll çështjen ndaj tij. Vendimi është diskutuar në zyrën juridike të spitalit dhe në mbledhjen e bordit të disa ditëve më parë është vendosur kthimi i Tivarit në detyrë. "Marrëdhëniet financiare fillojnë në datën 24 dhjetor 2007", sqarojnë në spital. Emërimi rishtas në detyrë është mirëpritur nga një pjesë e bluzave të bardha, ndërsa ka habitur pjesën tjetër me shfuqizimin që i është bërë vendimit të ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka. Më 30 korrik, Ministria e Shëndetësisë do të deklaronte se çrrënjosja e korrupsionit nga sistemi shëndetësor shqiptar përbën një nga prioritetet e kësaj ministrie dhe në këtë kuadër ka bërë kontrolle dhe verifikime të vazhdueshme të stafit të këtij sistemi. Në bazë të tyre u deklarua se me gjithë përmirësimet e bëra, "përsëri individë të pandërgjegjshëm vazhdojnë të abuzojnë me pacientët, duke e kushtëzuar shërbimin në institucionet publike përkundrejt shpërblimeve në para". Përveç shefit të urgjencë-pranimit të Durrësit, që u shkarkua nga puna, në spitalin e Shkodrës u pezullua nga detyra mjekja Sabahet Kraja, ndërsa u paralajmërua infermieri Ardian Gruda. Në Durrës, rasti i mjekut Arian Tivari u konsiderua si një rast flagrant, pasi ishte regjistruar teksa merrte shpërblime në të holla, përkundrejt shërbimeve që kryente ndaj qytetarëve në nevojë. Ky mjek abuzon hapur me pacientët, duke e kthyer shërbimin publik në dobi të qytetarëve, në një biznes fitimprurës për xhepat e tij. Pas vënies në dispozicion të 2 CD-ve me materialeve filmike që denonconin këtë rast, Ministria e Shëndetësisë vendosi largimin e menjëhershëm nga puna të mjekut Arjan Tivari dhe kallëzimin e tij në prokurori. Po hetimet e prokurorisë çuan në shfuqizimin e provave që inkriminuan mjekun dhe më pas e gjithë situata u kthye në favor të tij, sikurse dhe vendi i punës. E ndërsa ministria deklaroi se është e vendosur të mos tolerojë asnjë rast të evidentuar të abuzimit të bluzave të bardha, prokuroria kthen mbrapsht masën e marrë prej saj. Ndërkohë, në Durrës pritet të mbërrijë përgjigjja për OK-in e dhënë nga ministri Ndoka për emërtimin e maternitetit pa kaluar nëpër procedurat e parashikuara me ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›