E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri, tre herë më e lartë se në BE

Autori i Lajmit: red.
Në Shqipëri vdesin 18 foshnja për 1000 fëmijë të lindur. Sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare “World Vision” vdekshmëria e foshnjave në vendin tonë është 3 herë më e lartë se limiti i vendosur nga BE. Shkak për këtë janë infeksionet e rënda respiratore, veçanërisht pneumonia, që është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në Shqipëri. Edhe në një raport të vitit 2007 të OKB, Shqipëria renditej si vendi me vdekshmëri më të lartë në Evropë. Shkaqe të tjera veç pneumonisë janë anomalitë deri 28 ditë pas lindjes. Ky fenomen është më i përhapur në zonat rurale ku ka mangësi të theksuara të kujdesit shëndetësor. Raporti kritikon tërësisht sistemin shëndetësor dhe mungesën e decentralizimit të këtij sistemi. Në raport thuhet se shumë qendra shëndetësore nuk kanë kushtet bazë të pajisjeve dhe higjienës dhe të tjera nuk kanë madje as ujë. Raporti shton se sistemi shëndetësor duhet të jetë falas, por në të vërtetë korrupsioni është i kudondodhur. Zonat me problematike të cituara në raport janë Librazhdi dhe Lezha. Po sipas këtij raporti, në fshatra mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor i mungon dëshira për t u shërbyer pacientëve. Qendrat shëndetësore duhet të jenë hapur tetë orë në ditë, por në fakt nuk punohet as dy orë në ditë. Infermierët nuk bëjnë as minimumin për t u shërbyer pacientëve. Ndërkohë menaxheri i projektit të shëndetësisë së organizatës “Ëorld Vision” Majk Obrajen thotë se shkak i vdekshmërisë së fëmijëve është mungesa e informacionit tek nënat, por edhe kushtet e këqija të jetesës dhe mungesa e burimeve financiare. Madje në zonat rurale vazhdojnë ende mjekimet tradicionale jashtë qendrave spitalore. Vetë nënat shtatzëna e pranojnë se kanë shumë pak informacion për lindjen dhe rritjen e fëmijëve të tyre. Banorët e zonave rurale ndihen të harruar e të neglizhuar nga shteti i tyre.
Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›