Pranga pedofilit, ngacmoi fqinjen 5-vjeçare
Një 32-vjeçar akuzohet se ngacmoi seksualisht fqinjen e tij. Dëshmia në polici: Isha i dehur
KORÇË- Një vogëlushe 5 -vjeçare ka rënë pre e ngacmimeve seksuale nga fqinji i saj 32 –vjeçar, që e ka marrë në shtëpinë e tij. Abuzimi me fëmijët duket se është kthyer në një fenomen të frikshëm në juglindje, ku raste të ngjashme përsëriten herë pas here. I akuzuari për pedofilika rënë në prangat e policisë lokale, pasi akuzohet se ka ngacmuar fqinjen 5-vjeçare. Vogëlushja e trembur nga sjelljet e fqinjit ka shkuar duke qarë në shtëpinë e saj, duke zbuluar kështu edhe ngjarjen e rëndë. Abuzimi me të miturën është regjistruar në lagjen 16 të qytetit të Korçës, kur Olger Llënga është denoncuar dhe më pas arrestuar nga forcat e policisë. Ngjarja ka shokuar banorët e pallatit dhe jo vetëm ata, të cilët nuk kishin vënë re më parë shenja të tilla të të riut, ndërsa e vogla e traumatizuar është duke u trajtuar edhe nga një psikologe.
Sipas zyrtarëve të policisë së Korçës, ngjarja është regjistruar rreth orës 10.30 të paradites të të hënës. Olger Llënga, një 32- vjeçar i papunë jetonte në të njëjtin pallat me 5 –vjeçaren. I arrestuari jeton me gjyshen e tij, pasi prindërit banojnë prej disa vitesh në Maqedoni. Sipas policisë, vogëlushja është mashtruar me një çokollatë, duke pranuar të ndjekë nga pas 32-vjeçarin, në katin e pestë ku ai banonte. Pa e kuptuar qëllimin e fqinjit, vajza ka lënë mënjanë moshataret e saj dhe është ngjitur në shtëpinë e fqinjit. Sipas policisë, i akuzuari për pedofili ka nisur të kryejë vepra të turpshme me vajzën, derisa kjo e fundit, e trembur nga ajo që po ndodhte ka filluar të qajë me të madhe. Olger Llënga e ka mbajtur me zor vajzën për më shumë se një orë, për ta lënë atë të lirë, duke i kërkuar të mos fliste me askënd.
Fillimisht ka qënë e ëma e vogëlushes, që ka dëgjuar rrëfimin tronditës të së bijës. Menjëherë ajo është drejtuar në komisariatin e policisë së Korçës, ku ka kryer dhe denoncimin për kryerjen e veprave të turpshme nga fqinji i saj. Kaq është dashur që policia të vihet në punë, ndërsa vetëm pas 30 minutash autori i kësaj ngjarjeje tronditëse është vënë në pranga. Ai ka qënë duke dalë nga pallati, ndonëse ka dyshuar për një denoncim ndaj tij. Megjithëse është përpjekur të sillet “mirë” me blutë që po e kërkonin, kjo nuk e ka shpëtuar nga prangat që i janë vënë në duar. Olger Llënga akuzohet për veprën penale të “kryerjes së veprave të turpshme me të mitur”. 32- vjeçari i papunë fillimisht ka mohuar të ketë kryer ndonjë gjë të tillë duke insistuar me lot në sy, por vetëm pas disa pyetjeve ai është dorëzuar duke pohuar se ka qënë pak i dehur dhe vetëm sa e ka përkëdhelur fëmijën, që nuk pushonte së qari. Gjithsesi policia është duke kryer hetime të mëtejshme, ndërsa prindërit e vajzës kanë kërkuar drejtësi, ose hakmarrje ndaj atij që guxoi të vinte dorë më fëmijën e tyre të mitur. Situata gjithsesi duket se është kritike në pallatin ku jetojnë dy familjet, ndërsa policia nga ana e saj ka ngritur dhe një shërbim të posaçëm për të ndalur dhe ndonjë acarim të mundshëm të situatës.